Jamal Musiala ka pasur paraqitje shumë të mira në fazën e grupeve të Euro 2024 me Gjermaninë. Mesfushori i Bayern Munchenit në tri ndeshjet e para të Grupit A, ka realizuar dy gola. Shënoi ndaj Skocisë dhe ndaj Hungarisë.
Musiala para se t’i bashkohej përfaqësueses gjermane, ka qenë pjesë e gjitha grupmoshave të reja të Anglisë.
Kevin Betsy, që tani është ndihmëstrajner te Cambridge United, ka punuar me Musialan në të kaluarën.
Betsy të shtunën në një intervistë për “BBC” ka folur për talentin e Musialas.
“Ai ishte një nga lojtarët më të vegjël në fushë, por kishte inteligjencë të mahnitshme, e kuptonte lojën, kishte shpejtësi në distanca të shkurtra dhe aftësi driblimi. E kuptova se ka diçka të veçantë në të. Ne nuk po zgjidhnim lojtarë nën moshë për grupin e parë të Anglisë U15, por me të dhe Jude Bellingham, bëmë përjashtim. Unë nuk mendoj se Gjermania dinte shumë për të apo nivelin e tij, deri kur ai u përball me gjermanët dhe ishte i jashtëzakonshëm në atë ndeshje”, u shpreh Betsy.
Betsy theksoi se Musiala ishte larguar për te Gjermania U16, por pas kampit të parë me gjermanët u kthye sërish, tek Anglia U17.
“Përsëri, ai u përball me Gjermaninë si kapiten i Anglisë dhe ishte i jashtëzakonshëm ndaj tyre. Pas ndeshjes, trajneri kundërshtar tha se nuk e ka ditur se ai ishte aq i mirë”, ka potencuar 46-vjeçari.
21-vjeçari Musiala debutoi me ekipin senior të Gjermanisë më 25 mars të vitit 2021.
Për Gjermaninë ka katër gola të realizuar.