Euro 2024

Holanda heq dorë nga sistemi i preferuar në kërkim të suksesit në “Euro 2024”

Holanda Euro 2024

Pak tifozë të futbollit janë të fiksuar pas shifrave ashtu si holandezët.

4-3-3 për shembull. Ose 3-5-2. Ekziston edhe tradicionalja, 4-4-2 e madje ajo 4-2-3-1. Por kryesisht, sa u takon holandezëve, gjërat sillen rreth 4-3-3.

Për dikë këto shifra mund të duken të çuditshme. Por tifozët e futbollit i kanë të njohura. Bëhet fjalë për mënyrën e vendosjes në fushë. Për shembull 4-3-3, nënkupton katër mbrojtës, tre mesfushorë, tre sulmues.

Për trajnerin e Holandës, Ronald Koeman, që është duke e përgatitur ekipin për Evropian, loja me numra ka shkuar shumë larg.

“Ne në Holandë ndonjëherë flasim shumë për sistemet”, kishte thënë Koeman për transmetuesin nacional NOS. Deklarata erdhi para se Holanda e vendosur në sistemin 3-5-2, tre mbrojtës, pesë mesfushorë e dy sulmues, fitoi 3:0 ndaj Greqisë në Amsterdam. Ndeshja ishte kualifikuese për “Euro 2024”.

Fiksimi holandez te sistemi me katër mbrojtës, tre mesfushorë e tre sulmues i ka rrënjët në epokën e artë të futbollit të këtij vendi.

Sistemi 4-3-3 ishte themeli i markës së futbollit që udhëhiqej nga gjeniu Johan Cruyff. Ai e dërgoi Holandën në dy finale botërore në vitet 1970. Me këtë sistem Ajaxi fitoi tre tituj evropianë rresht, nga viti 1971 deri në vitin 1973. Cruyff luajti në Kupën e Botës 1974, por jo atë 1978.

Shumica e tifozëve holandezë duan që përfaqësuesja e tyre ende të vendoset në atë mënyrë. Koeman ka dashur njëjtë, po ashtu. Ai e tha këtë kur u prezentua si selektor i Holandës, për herë të dytë.

“Në Holandë ne synojmë të luajmë futboll të mirë, atraktiv dhe sulmues. Kjo shpesh është gjëja më e vështirë”, kishte  thënë Koeman.

Por pas disa muajsh në krye, ai tha para ndeshjes ndaj Greqisë në shtator që nuk ka parë progresin e dëshiruar duke luajtur me sistemin 4-3-3. Dhe kaloi në sistemin e bazuar në pesë mbrojtës. Këtu përfshihen edhe dy mbrojtës krahu, që mbulojnë krahët si alot trandicionale.

Koeman arsyetoi se me lojtarë si Denzel Dumfries i Interit, që shërben në krahun e djathtë, sistemi me pesë mbrojtës është formacion sulmues dhe që ofron mbrojtje solide.

“Duam të jemi kreativë”, tha Koeman kur publikoi emrat e 26 lojtarëve të ftuar për “Euro 2024”.

“Nuk do të duhej të ishte futboll i mërzitshëm dhe nuk do të jetë”, ka shtuar tekniku holandez.

Derisa përfaqësuesja holandeze arriti kulmin në vitet ‘70 të shekullit të kaluar, Holanda është e njohur edhe për dështimin e madh në Kupën e Botës, fare në fund. Ka luajtur në tri finale dhe i ka humbur të gjitha.

Holanda e fitoi trofeun e vetëm madhor në Gjermaninë Perëndimore. Bëhet fjalë për “Evropianin 1988”.

Në atë ngjarje sistemi më tradicional, 4-4-2, u dha holandezëve një bazë të fortë në mbrojtje dhe mesfushë. Marco Van Basten ofroi shkëlqim në sulm.

Goli i tij me volej ndaj Bashkimit Sovjetik vlerësohet prej golave më të bukur në histori.

Koeman ishte lojtar i rëndësishëm më 1988. Ai ka kërkuar shumë, ndonjëherë duke bërë ndryshime edhe gjatë rrjedhës së ndeshjes, për sistemin e duhur të grupit aktual të lojtarëve.

Formacioni 4-3-3 po shfaqet gjithnjë e më shumë në Akademinë e famshme të Ajaxit. Por klubi i Amsterdamit nuk kishte futboll  të rrjedhshëm në edicionin tashmë të përfunduar. Kishte edhe mungesë rezultatesh.

Vetëm dy lojtarë të Ajaxit janë në ekipin e Koemanit për Evropianin që mbahet nga 14 qershori deri më 14 korrik në Gjermani. Bëhet fjalë për  sulmuesit Steve Bergwijn dhe Brian Broobey.

Mesfushori i Barcelonës, Frenkie de Jong, po punon që të jetë gati në kohë, pas një dëmtimi në kyçin e këmbës, javë më parë.

Selektori Koeman pret që De Jong të jetë gati për ndeshjen e parë ndaj Polonisë, më 16 qershor në Hamburg. Por nuk e di nëse do të jetë në gjendje të luajë 90 minuta.

Holanda do të luajë ndaj Francës, favorites së turneut. Në grup janë edhe Polonia dhe Austria.