Momenti i lavdishëm ka ardhur në kohën e duhur për ta treguar përulësinë e Holandës, ka thënë selektori Ronald Koeman.
“Jemi shtet i vogël dhe jemi në gjysmëfinale me shtete si Spanja, Franca dhe Anglia”, ka thënë 61-vjeçari kur foli për kualifikimin e Holandës në mesin e katër ekipeve më të mira të Evropianit, pas fitores 2:1 ndaj Turqisë të shtunën mbrëma.
Koeman ishte i qetë edhe pse dukej qartë se është dashur të përballej me emocione të brendshme.
“Kjo do të thotë shumë për gjithë shtetin”, ka theksuar Koeman.
Ndjenja e fitores është ndjenjë që holandezët e kanë humbur prej vitesh, pasi përfaqësuesja nuk kishte arritur në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian që prej vitit 2004.
2024 është shans për përsëritjen e suksesit të vitit 1988, kur tulipanët e fituan turneun për herën e vetme. Edhe ai turne ishte organizuar në tokën gjermane.
Interesant është fakti se Holanda është njëra prej tri përfaqësueseve në “Euro 2024”, që ka pasur rrugëtim të vështirë. Paraqitja jo shumë e mirë në fazën grupore ishte karakteristikë edhe e Francës dhe Anglisë.
Por Holanda është përmirësuar hap pas hapi dhe suksesi u arrit.
Koeman është i bindur se skuadra e tij e ka mësuar një mësim të rëndësishëm.
“Ndonjëherë akuzohemi se luajmë pa e lënë zemrën në fushë. Mendoj se sot treguam zemër të madhe”, ka vazhduar Koeman pas fitores së madhe ndaj Turqisë.
Mbrojtësi i Interit, Stefan de Vrij, foli për durimin e skuadrës dhe aftësinë për ta pritur momentin e duhur.
Ish-trajneri i Barcelonës, Koeman, mund t’i tregojë lojtarëve se çfarë duhet rrugës për të triumfuar, pasi ai ishte pjesë e skuadrës në vitin 1988 në triumfin e fundit madhor.
Fryma ekipore është çelësi i suksesit, thotë trajneri.
“Është fakt se rezultatet të bëjnë të rritesh në turne. E kemi mësuar këtë në vitin 1988”, ka shtuar ai.
Ndihmesë e madhe është të kesh në skuadër golashënues si futbollisti i krahut te Liverpooli, Cody Gakpo. 25-vjeçari ka tri gola të shënuar në pesë ndeshje të këtij Evropiani.
Kundër Turqisë, disa e panë se ai e shënoi golin e fitores. Por, ishte qendërmbrojtësi i Turqisë, Mert Muldur, që e shtyu gabimisht topin në rrjetën e portës së vet, pas duelit me Gakpon.
“Jemi këtu për të krijuar kujtime”, ka thënë sulmuesi.
Arjen Robben e kishte udhëhequr Holandën drejt finales së Kupës së Botës 2010. Një gjë të tillë, njohës të futbollit thonë se mund ta bëjë edhe Gakpo.
Gakpo thotë se e kujton turneun e vitit 2010 “si sot”. Por Gakpo thotë se tani është periudhë e re.