Përfaqësuesja e Holandës e ka nisur me fitore Kampionatin Evropian “Gjermania 2024”. Holanda të dielën mposhti Poloninë me rezultatin 2:1. Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Volksparkstadion” në Hamburg, ndërsa i takoi Grupit D të “Euro 2024”.
Pjesa e parë përfundoi me rezultat të barabartë, 1:1. Holandezët e nisën më mirë ndeshjen, ku patën një seri rastesh. Por Polonia ishte e para që shënoi gol. Adam Buksa në minutën e 16-të shënoi për 1:0. Por holandezët nuk u dorëzuan duke kërkuar golin e barazimit. Dhe pas disa tentimeve, në minutën e 29-të realizoi Cody Gakpo. Gjuajtja e tij u devijua nga një mbrojtës polak për rezultatin 1:1, rezultat me të cilin përfundoi edhe pjesa e parë. Në pjesën e dytë holandezët ishin sërish më kërkues në fushë.
Zëvendësimet e bëra nga përzgjedhësi i Holandës, Ronald Koeman dolën të qëlluara. Wout Weghorst tre minuta pasi u inkuadrua në fushë, shënoi golin e fitores për “Tulipanët”.
Ai shënoi saktësisht në minutën e 83-të për rezultatin final, 2:1. Ndeshjen e dytë, Holanda e luan ndaj Francës më 21 qershor, kurse Polonia ndaj Austrisë.
