Autogoli i Mert Muldurit në minutën e 76 e ka dërguar Holandën në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian. Holanda fitoi me rikthim të rezultatit 2:1 në ndeshjen dramatike ndaj Turqisë të shtunën mbrëma në Berlin.
Cody Gakpo ishte shumë afër që ta shënonte golin e katërt të turneut, por topin në portën e gabuar e shtyu Muldur, që i dha epërsinë holandezëve.
Ndeshja ishte dramatike nga fillimi.
Turqia kaloi në epërsi e para në minutën e 35-të, me golin e shënuar nga qendërmbrojtësi Samet Akaydin.
Por, qendërmbrojtësi i Holandës u kundërpërgjigj me gol të shënuar me kokë po ashtu, në minutën e 70.
De Vrij u zgjodh edhe lojtari më i mirë i ndeshjes.
“Ai ishte solid në mbrojtje dhe tregoi iniciativë të lartë gjatë pjesës së dytë, kur edhe i barazoi shifrat”, ka shkruar UEFA.
Pas golit të barazimit, holandezët e drejtuar nga Ronald Koeman e kërkuan me ngulmim golin e epërsisë, që në fund i dha edhe fitoren.
Holanda do të ballafaqohet në gjysmëfinale me Anglinë.
Gjysmëfinalja Holanda – Anglia do të luhet në stadiumin “Signal Iduna Park” në Dortmund. Fituesi i këtij ballafaqimi do të luajë kundër Spanjës apo Francës në finale. Franca e Spanja luajnë të martën mbrëma.
Turqia ishte pa mbrojtësin Merih Demiral, i cili është i suspenduar për dy ndeshje nga UEFA për festën me shenjën nacionaliste, pas dy golave që i shënoi në fitoren 2:1 ndaj Austrisë, në një të tetën e finales.
Holanda u bë shteti i dytë që përfundon në vendin e tretë të fazës grupore dhe arrin në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian, pas Portugalisë në “Euro 2016”. Portugalia kishte triumfuar në atë vit.
Për Holandën është gjysmëfinalja e parë në Evropian që prej vitit 2004.
Pavarësisht eliminimit, Turqia largohet me paraqitje shumë të mira në këtë evropian. Por, rekordi negativ i tyre është se janë ndëshkuar me 19 kartonë të verdhë dhe një të kuq në “Euro 2024”.
Të njëjtat statistika i kishte edhe Republika e Çekisë në vitin 1996.
Rekordi u barazua pasi Bertug Yildirim u përjashtua nga loja pak minuta para fundit. Lojtari i Rennesit ishte rezervist i pashfrytëzuar në Gjermani.
