Talenti shqiptar Brajan Gruda u largua të mërkurën nga kampi përgatitor i Gjermanisë. Futbollisti i Mainzit u largua për shkak të lëndimit muskulor, njofton Federata e Futbollit të Gjermanisë. Gjermania të enjten udhëton për në Moenchengladbach, ku të premten nga ora 20:45 e luan ndeshjen e fundit miqësore ndaj Greqisë. Gruda ishte nga dita e parë në përgatitje me Gjermaninë.
Shihej si potencial për t’u përfshirë në ekipin e Gjermanisë për “Euro 2024”. Por lëndimi ka bërë që Gruda të largohet para kohe nga kampi gjerman. 19-vjeçari në 28 ndeshje në Bundesligë ka shënuar katër gola dhe ka asistuar tri herë. Ai me Mainzin ka kontratë deri në vitin 2026. Kartoni i Grudës vlerësohet rreth 20 milionë euro. Gruda ka luajtur shtatë ndeshje për Shpresat e Gjermanisë në shtatë paraqitje.