Saktësisht 1100 ditë pasi pësoi arrest kardiak në fushë, ylli danez Christian Eriksen ka shënuar gol në Evropian. Por goli i Eriksenit nuk i mjaftoi Danimarkës që mori vetëm barazim 1:1 ndaj Sllovenisë, të dielën mbrëma.
Ndeshja Slloveni – Danimarkë i takoi Grupit C të “Euro 2024” dhe u zhvillua në Stuttgart.
Erikseni goditi bukur në minutën e 17-të për 1:0. Pas një rivënie nga këndi, danezët realizuan shpejt sulm dhe Erikseni ishte i saktë. Ai kishte kolapsuar në fushë në Euro 2020, të mbajtur në vitin 2021. Skenat ishin të frikshme, ndërsa mjekët luftuan gjatë për të mbajtur në jetë Eriksenin.
Në vitin 2022, danezi u kthye në fushën e blertë dhe vazhdon të paraqitet në nivel të lartë.
Ndër të tjera po e udhëheq Danimarkën në Evropianin në Gjermani.
Sllovenia e siguroi pikën e madhe falë golit që mbrojtësi i majtë Erik Janzha e shënoi në minutën e 77-të. Goditja e tij u devijua dhe përfundoi në rrjetë. Vetëm një minutë më herët, lojtari kryesor i Sllovenisë, Benjamin Sheshko e qëlloi shtyllën.
Më 20 qershor, Sllovenia luan me Serbinë në Munih, ndërsa Danimarka e Anglia takohen në Frankfurt.
Barazon Sllovenia
Sllovenia ka barazuar rezultatin në ndeshjen ndaj Danimarkës.
Për 1:1 shënoi në minutën e 77-të. Erik Janzha gjuajti, ndërsa topi u devijua dhe përfundoi në rrjetë.
Një minutë më parë shtyllën e goditi Benjamin Sheshko.
Përfundon pjesa e parë, Danimarka në epërsi
Ka përfunduar pjesa e parë e ndeshjes ndërmjet Sllovenisë dhe Danimarkës.
Danimarka është duke udhëhequr 1:0, ndaj Sllovenisë me golin e Christian Eriksenit, i cili realizoi në minutën e 17-të të ndeshjes.
Danimarka në epërsi, realizon Eriksen
Danimarka ka kaluar në epërsi në ndeshjen ndaj Sllovenisë, që ka nisur në ora 18:00.
Është ikona daneze, Christian Eriksen që shënoi për 1:0 në minutën e 17-të. Eriksen shënoi nga zona, pas një aksioni të shpejtë të Danimarkës.