EKG-ja e topit ndihmoi në penalltinë e Gjermanisë
Gjermania fitoi 2:0 ndaj Danimarkës në Kampionatin Evropian, në raundin e 1/8 së finales.
Goli për 1:0 erdhi nga penalltia.
Megjithatë, ajo u akordua pasi një sensor nuk pati funksionim normal.
“Sinjalizimi ishte si në EKG (Elektrokardiogrami). E tregoi devijimin që ndodhi kur topi u prek me dorë”, ka shkruar gazeta gjermane “Bild”.
Kjo teknologji nisi së zbatuari në Kupën e Botës para dy vjetësh.
Ky sensor peshon 14 gram dhe është i integruar në topin zyrtar që përdoret në Kampionatin Evropian.
Kjo teknologji ndihmon gjyqtarët edhe në pozitat jashtë lojës.
Lojtarët e Gjermanisë marrin bonusin e radhës
Secili nga 26 lojtarët e Gjermanisë do të marrin bonusin e 100 mijë eurove nga Federata e Futbollit të Gjermanisë.
Marrëveshja ishte arritur para nisjes së Evropianit.
“Sky Sport” i Gjermanisë ka shkruar se secili lojtar do të marrë po ashtu nga 150 mijë euro nëse shkojnë deri në gjysmëfinale, 250 mijë euro nëse përfundojnë në vendin e dytë dhe nga 400 mijë euro nëse e fitojnë Kampionatin Evropian.
Më pas, paratë e mbledhura do t’u jepen për bamirësi fondacioneve për të pastrehët.
Ky lojtar ishte më i miri i ndeshjes, a e meritoi?
Qendërmbrojtësi i Gjermanisë, Antonio Ruediger, është zgjedhur lojtari më i mirë i ndeshjes së dytë të 1/8 së finales së Kampionatit Evropian.
UEFA e ka përzgjedhur Ruedigerin si më të mirin e ballafaqimit ndërmjet Gjermanisë dhe Danimarkës.
Sipas UEFA-s, ai ka qenë lider në mbrojtje dhe ka shkruar në statistika se ka fituar 12 topa.
Shpejtësia maksimale e arritur nga qendërmbrojtësi i Real Madridit ka qenë 31.4 km/h.
Ai ka mbuluar 10 kilometra në fushën e lojës.

“Ai ishte me të vërtetë solid, fitoi shumë duele përgjatë gjithë ndeshjes. Ai ishte shumë i fortë veçanërisht në ajër dhe shumë i saktë në pasime”, ka shkruar UEFA në arsyetimin për zgjedhjen e tij si lojtari më i mirë i ndeshjes.
Gjermania, çerekfinalistja e dytë
Gjermania e ka siguruar çerekfinalen në Kampionatin Evropian, pas fitores ndaj Danimarkës të shtunën mbrëma në Dortmund.
Gjermanët me ndihmën e madhe të tifozëve nga tribunat, arritën që t’i mposhtin danezët me rezultatin 2:0, në ndeshjen e 1/8 së finales.
Me të njëjtin rezultat, Zvicra e siguroi më herët çerekfinalen në fitoren ndaj Italisë.
Kai Havertz në minutën e 53-të dhe Jamal Musiala në minutën e 68-të, i shënuan golat e fitores për Gjermaninë, nikoqiren e Evropianit 2024.
Në këtë ballafaqim, Gjermanisë iu anuluan dy gola, kurse Danimarkës një.
Joachim Andersen ishte i pafat, pasi shënoi për Danimarkën dhe goli u anulua për pozitë jashtë loje, pas rishikimit të situatës në VAR.
Menjëherë në aksionin vijues, Andersen shkaktoi penallti. Nga 11 metra i pagabueshëm ishte Havertz që i dha epërsinë Gjermanisë.
Afro 20 minuta para fundit realizoi edhe Musiala për avancimin në çerekfinale.
Gjermania tani do të ballafaqohet me fituesen e ndeshjes Spanja – Gjeorgjia.
Ballafaqimi në Dortmund u suspendua në minutën e 35-të.
Të dyja ekipet u futën në tunel për shkak të kushteve të rënduara atmosferike.
Pati stuhi të fortë, intensitet të lartë të shiut, vetëtima e breshër.
Megjithatë, ndeshja rifilloi pas disa minutash.
Dy lojtarë me nga tre gola në Evropian
Jamal Musiala e ka barazuar Georges Mikautadzen e Gjeorgjisë në listën e golashënuesve më të mirë të “Euro 2024” me nga tre gola.
Musiala e shënoi golin e tretë kur shënoi për 2:0 ndaj Danimarkës në 1/8 e finales së Kampionatit Evropian.
Ai u bë edhe futbollisti i parë i Gjermanisë në 10-të vjet që shënon të paktën tre gola në turne madhor. Thomas Mueller ka realizuar pesë gola dhe Andre Schurrle tre gola, në Kupën e Botës 2014.
Gjermania dyfishon epërsinë
Jamal Musiala në minutën e 68-të e ka dyfishuar epërsinë e Gjermanisë.
Musiala ishte i pagabueshëm përballë portierit Schmeichel për 2:0.
Havertzi humb rast të artë
I vetëm përballë portierit Kasper Schmeichel, shënuesi i golit për 1:0 nga penalltia, Kai Havertz, ka dështuar të shënojë.
Në minutën e 59-të, Havertz doli në shans të artë për shënim, por parabola e tij shkoi fare pranë portës.
Gjermania në epërsi
Gjermania ka kaluar në epërsi ndaj Danimarkës në minutën e 54-t të ndeshjes.
Kai Havertz realizoi nga penalltia për 1:0.
Nis pjesa e dytë, edhe Danimarkës i anulohet goli
Pesë minuta pas nisjes së pjesës së dytë, Danimarkës i është anuluar goli. Joachim Andersen shënoi tre minuta pas nisjes së 45-minutëshit të dytë, por goli u anulua për pozitë jashtë loje.
Ngjashëm ndodhi në pjesën e parë, por në anën e kundërt.
Skuadrat rikthehet në fushë, vazhdon ndeshja
Ndeshja ndërmjet Gjermanisë dhe Danimarkës i është kthyer normalitetit.
Zyrtarët e UEFA-s kanë vendosur që dueli të mos shtyhet për të dielën dhe ka kërkuar nga skuadrat të kthehen në fushë.
Ashtu sic u raportua, pezullohet ndeshja Gjermania - Danimarka
Kushtet atmosferike, me stuhi e reshje të mëdha të shiut, kanë bërë që ndeshja Gjermania - Danimarka, të pezullohet.
Gjermania e Danimarka po luajnë për një vend në çerekfinale. Rezultati është 0:0.
Gjermania nis furishëm por i anulohet goli
Gjermania e ka nisur furishëm ndeshjen ndaj Danimarkës në 1/8 e finales së Kampionatit Evropian, por iu anulua një gol.
Gjermanët realizuan në minutën e katërt me Nico Schlotterbeckun, i cili realizoi me kokë me asistim të Toni Kroosit.
Por, gjyqtarët panë ndërhyrje të palejuar dhe e anuluan golin e shtatlartit.