Euro 2024

Gjermanët, mbretër të fazës nokaut në Kampionate Evropiane

Gjermania

Rekordi i jashtëzakonshëm i Gjermanisë në fazën nokaut të Kampionateve Evropiane do të hap kapitull të ri në Dortmund të shtunën. Kundërshtarja e radhës e Gjermanisë do të jetë Danimarka.

Gjermania – Danimarka luhet nga ora 21:00.

Nga dhjetë edicionet ku gjermanët kanë arritur ta kalojnë fazën e grupeve në Evropian, nëntë herë kanë shkuar deri në gjysmëfinale, dhe gjashtë herë në finale. Bashkë me Spanjën kanë nga tre tituj të fituar.

Gjermania po ashtu krenohet me Bertie Vogstin, personin e vetëm që e ka fituar turneun si futbollist dhe si selektor. Ai triumfoi në vitin 1972, dhe si përzgjedhës në vitin 1996, duke e mposhtur Republikën e Çekisë 2:1 pas vazhdimeve në “Wembley”.

Megjithatë, ai triumf, para afro 28 vjetësh, mbetet hera e fundit kur gjermanët e ngritën lartë trofeun “Henri Delaunay”. Por, edhe nëse selektori i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, nuk e sjellë trofeun në shtëpi, puna e tij vlerësohet të jetë e duhur.

“Përkushtimi jonë kundrejt Julian Nagelsmannit nuk do të ndryshojë në asnjë mënyrë, edhe nëse ndalet në 1/8 e finales. Jo të gjitha eliminimet janë të ngjashme. Për ne, paraqitja është më e rëndësishmja”, ka thënë drejtori menaxhues i Federatës së Futbollit të Gjermanisë, Andreas Retting, shkruan “Reuters” të mërkurën.

Megjithatë, nuk ishte gjithmonë kështu. Gjermania Perëndimore, siç ishte në atë kohë, nuk mori pjesë në turnetë e viteve 1960 dhe 1964, ndërsa kur vendosi të marrë pjesë, nuk u kualifikua për në finalet e Evropianit 1968, që u organizua në Itali.

Por, kjo përfaqësuese arriti që të shkonte deri në finale në tre turnetë e ardhshëm, duke fituar në vitin 1972 dhe 1980, ndërsa u mposht nga Çekosllovakia e asaj kohe, në vitin 1976.

Gjermanët nuk e kaluan grupin në vitet 1984, 2000 dhe 2004, dhe humbja në 1/8 e finales në vitin 2020, bashkë me eliminimin nga faza grupore në Kupën e Botës në Katar në vitin 2022, kishte ulur pritshmëritë para këtij turneu.

Fitorja 5:1 kundër Skocisë dhe barazimi i vonshëm e dramatik kundër Zvicrës, bëri që Gjermania të avancojë tutje si fitues i Grupit A. Dhe përballja me Danimarkën në 1/8 e finales ka bërë që tifozët të shpresojnë në një tjetër sukses të madh të Gjermanisë.

“Nëse dëshiron të bëhesh kampion i Evropës, duhet që të fitosh ndaj më të mirave”, kishte thënë sulmuesi Niclas Fuellkrug pas barazimit me Zvicrën.

“Mendoj se tashmë e kemi treguar se çfarë jemi në gjendje të bëjmë në këtë turne”.