Euro 2024

Freuleri beson se Zvicra mund të shkruajë histori

Zvicra - Euro 2024

Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Yann Sommer dhe Remo Freuler – katërshja e Zvicrës me moshë mbi 30 vjet. Por Freuler thekson se shumica e tyre luajnë rregullisht dhe paraqiten mirë në skuadrat e tyre. “Sigurisht, ju plakeni dhe e dini se nuk do të ketë më shumë gjasa”, ka theksuar Freuler, njofton “Blick”.

Ai beson se Zvicra ka gjasat e saj për të shkruar histori.

Kujton fitoren ndaj Francës tre vjet më parë. Zvicra të shtunën takohet me kampionen e Evropës, Italinë në një të tetën e finales. Ndeshja luhet të shtunën, ndërsa Freuler të mërkurën tha se ekipi ka bërë ndryshim të madh pas përfundimit të kualifikimeve.

“Ne lojtarët jemi përgjegjës për këtë dhe e dinim se duhej të ndryshonim mentalitetin”, ka theksuar Freuler. Rezervistët e Zvicrës, të martën zhvilluan ndeshje testuese ndaj ekipit të të rinjve të Suttgartit.

Ndeshjen e zhvilluar dy herë nga 30 minuta e fitoi Zvicra 3:0. Por Federata nuk ka njoftuar se kush i shënoi golat. Në “ekipin B” të Zvicrës titullar ishin ndër të tjera Xherdan Shaqiri dhe Ardon Jashari. Ky i fundit nuk luajti asnjë minutë në ndeshjet e fazës grupore.

Shaqiri luajti një ndeshje. Shënoi golin që ia siguroi Zvicrës kalimin në fazën nokaut të Evropianit. Ai shënoi në barazimin 1:1 të Zvicrës kundër Skocisë.