Lidershipi nuk ka qenë asnjëherë çështje te Përfaqësuesja e Francës në futboll. “Les Bleus” janë rreshtuar në turnetë e mëdhenj me liderë në secilin repart.
Në portë ishte Hugo Lloris, në mbrojtje Raphael Varane, në mesfushë Paul Pogba e në sulm Antoine Griezmann. Ata kanë luajtur së bashku në çdo turne të madh që nga viti 2014 e tutje, me përjashtim të Kupës së Botës 2022, në të cilin Pogba mungoi për shkak të telasheve me gjurin e djathtë. Pos që ishin top-lojtarë, këta katër futbollistë kanë ofruar prani vokale në secilën zonë të fushës.
Në përfaqësuese ka mbetur vetëm Griezmann.
Kapiteni shumëvjeçar, Lloris dhe Varane janë tërhequr nga futbolli ndërkombëtar. Ndërkohë Pogba, dikur yll i madh, ka parë karrierën t’i shkatërrohet. Ai kishte shënuar në finale të Kupës së Botës në vitin 2018, por u dënua këtë vit nga gjykata antidoping e Italisë me katër vjet moslojë pasi doli pozitiv për testosteron.
Lloris, Varane e Pogba kishin së bashku 329 ndeshje për Francën. Dhe këtë përvojë tashmë nuk e ka në përbërje selektori Didier Deschamps.
Por për “Euro 2024” e ka të paktën Griezmannin. 33-vjeçari u votua si lojtari më i mirë i Francës që paraqitet në vendet e tjera. Fitoi në konkurrencë me mesfushorin e Real Madridit, Aurelien Tchouameni dhe mbrojtësin e Arsenalit, William Saliba.
Griezmann shënoi “hat-trick” për Atletico Madridin më 15 maj dhe kishte edicionin më të mirë sa i takon golave që nga viti 2018. Atë vit kishte shënuar në finale të Kupës së Botës, së bashku me Kylian Mbappen.
Mbappe është kapiten që nga pensionimi i Llorisit. Por në mendjen e shumë tifozëve, Griezmann është lider natyral. Griezmann ka qenë gjithnjë prezent prej se erdhi Deschamps.
Por Griezmanni ka nevojë për mbështetje nga pjesa tjetër e ekipit. Natyrisht, Lloris, Varane e Pogba janë zëvendësuar në formacion, por jo edhe autoriteti i tyre. Të paktën jo deri më tani.
Për Francën shënimi i golave nuk pritet të jetë problem. Pasimet e Griezmannit, aftësia e tij për gjuajtje dhe 44 golat ndërkombëtarë, ofrojnë “municion” shtesë përkrah asaj që do të ofrojë Mbappe në skenën e madhe.
Mbappe është lojtari më i rrezikshëm i Evropianit. Ai tashmë i ka 46 gola ndërkombëtare. Olivier Giroud është rekordmen te Franca me 57 gola, por 37-vjeçari nuk e ka të garantuar vendin në përbërjen bazë. Bradley Barcola është tjetër opsion, me shpejtësinë e tij në krahun e majtë.
“Ai ka aftësinë për të bërë dallimin”, ka thënë selektori Deschamps.
Opsionet në sulm janë të shumta, por mbrojtja është rrëfim tjetër. Deschamps për herë të parë si selektor do të jetë pa Llorisin, që ka ofruar qetësi në portë. Mike Maignan i Milanit do të nisë turneun e parë të madh si zgjedhje e parë për portën, ndonëse e ka një dëmtim në gisht.
Franca ka pranuar gjashtë gola në tri ndeshjet e fundit. Madje ndaj Gjermanisë në mars kishte pësuar pas vetëm shtatë sekondash lojë.
Mënyra se si u pranua ai gol e zemëroi Deschampsin, që është pa mbrojtësin Lucas Hernandez, i lënduar. Me Presnel Kimpemben ende jo plotësisht të gatshëm, William Saliba ka rastin të dëshmohet në nivelin ndërkombëtar. Saliba shfaqi nivel të lartë tek Arsenali.
Ai mund të luajë përkrah Ibrahima Konates së Liverpoolit. Por të dy kanë 27 ndeshje ndërkombëtare gjithsej dhe mbrojtja franceze mund të jetë e cenueshme nga sulmet e forta.
Mesfusha duket solide. Aty janë dy yjet e Real Madridit, Eduardo Camavinga dhe Tchouameni. Adrien Rabiot kishte paraqitje të mira te Juventusi. Befasi ishte kthimi i lojtarit unik, N’Golo Kante, që nuk luajti për përfaqësuese për dy vjet. Kante është tek Al-Ittihadi në Arabi Saudite, por Deschamps e vlerëson të rëndësishëm.
Vrapimet e vazhdueshme të Kantes dhe aftësia e tij për të lexuar lojën, mund të ofrojnë përkrahje të domosdoshme për mbrojtjen e Francës.