Euro 2024

Franca – Belgjika, përballja më e fortë e 1/8 së finales

Franca

Franca dhe Belgjika do të takohen në raundin e një të tetës së finales së Kampionatit Evropian, të hënën nga ora 18:00, në ndeshjen që do të zhvillohet në “Merkur Spiel-Arena” të Duesseldorfit.

Fqinjët vlerësohen prej përfaqësueseve më të forta aktualisht në Evropian, nëse merret për bazë edhe renditja në ranglistën e FIFA-s. Franca është e dyta, kurse Belgjika është e treta dhe rrjedhimisht kjo po shihet si ndeshja më e fortë e këtij rrethi të garës.

Pavarësisht renditjes së lartë, Franca e Belgjika nuk kanë shfaqur shumë në Evropianin në Gjermani.

Sulmuesi i Francës, Kylian Mbappe, do të vazhdojë të luajë me maskën mbrojtëse. Kapiteni i Francës e ka realizuar vetëm një gol në dy paraqitje, atë nga penalltia kundër Polonisë. Kështu që sulmuesi i ri i Real Madridit duhet të shfaqë më shumë për ta arritur suksesin me tetë gola të realizuar, sa i kishte në Kupën e Botës në Katar.

Ka pasur kritika për paraqitjen e Francës. Por, kjo nuk e shqetëson selektorin Didier Deschamps.

“Nëse nuk u pëlqen loja, le ta ndërrojnë kanalin”, ka thënë Deschamps.

Paraqitje të mira nuk ka pasur as Belgjika. Madje, kapiteni Kevin De Bruyne, u desh që ta dërgonte ekipin drejt dhomave të zhveshjes, pasi tifozët i vërshëllyen.

“Franca është kundërshtare e fortë dhe është ndeshje e rëndësishme. Fiton ose je jashtë Evropianit. Është ndjenjë e veçantë dhe duam të kualifikohemi. Duhet të jemi të fokusuar dhe kemi kualitete në skuadër”, ka thënë selektori i Belgjikës, Domenico Tedesco të dielën në konferencën për shtyp.

Franca dhe Belgjika janë takuar në gjysmëfinale të Kupës së Botës 2018 dhe në Ligën e Kombeve në vitin 2021. Të dyja ndeshjet i ka fituar Franca.

Fitorja e fundit e Belgjikës me Francën ka qenë ajo e vitit 2015 në Paris, 4:3.

Fituesi i këtij ballafaqimi luan kundër Portugalisë apo Sllovenisë në çerekfinale.