(goal.com) – Faza e grupeve e “Euro 2024” ka prodhuar një dramë të jashtëzakonshme, gola të mrekullueshëm dhe shumë gjëra të tjera.
Për çudi, Kroacia është eliminuar – dhe në mënyrë zemërthyere – por Gjeorgjia ka bërë histori në paraqitjen e saj të parë duke siguruar kalimin në një të tetën e finales të Evropianit, ndërsa Austria bëri një surprizë të madhe duke fituar “Grupin e Vdekjes”.
Diku tjetër Spanja ka qenë po aq mbresëlënëse, sa Anglia dhe Franca kanë qenë të dobëta, ndërsa “ne pamë gjithashtu katër skuadra në një grup që përfundonin me numër të njëjtë pikësh për herë të parë në histori të Evropianit”, shkruan “goal.com”, që ka paraqitur fituesit dhe humbësit e mëdhenj nga faza e grupeve të atij që quhet turneu më tërheqës deri më tani.
Fituesi: Xherdan Shaqiri
Goli mjeshtëror i Xherdan Shaqirit kundër Skocisë e bëri lojtarin e vetëm që ka shënuar në gjashtë turnetë e fundit, tri Kampionatet Evropiane dhe tri Kupat e Botës.
Shaqiri u pyet pas golit të barazimit nëse ishte goli më i mirë i karrierës së tij.
“Ishte një gol vërtet i bukur, por unë kam shënuar shumë gola të bukur më parë, kështu që është e vështirë të them nëse është më i miri”, tha ai duke buzëqeshur.
Dhe, ai ka të drejtë. Futbollisti 32-vjeçar ka shënuar dhjetë gola në turne të mëdha ndërkombëtare. Ka shënuar më shumë se Patrick Kluivert (tetë), Wayne Rooney (shtatë), Raul dhe Zlatan Ibrahimoviq (gjashtë).
Është koha e fundit që emrit të Shaqirit t’i jepet më shumë respekt – dhe asaj këmbe të bukur të majtë.
Humbësi: Steven Clarke dhe Skocia
Është e pamundur të mos ndiesh keqardhje për Ushtrinë Tartan. Tifozët më të mirë në turne duhej të përcillnin ekipin më të dobët. Në të vërtetë “Lulja e Skocisë” ishte pika kryesore e çdo ndeshjeje ku shfaqej skuadra e udhëhequr nga Steve Clarke, që pati vetëm 17 gjuajtje gjithsej.
As në ndeshjen e fundit kundër Hungarisë, skocezët nuk filluan të sulmonin deri në 10 minutat e parë. Më keq akoma, për herë të dytë në tre ndeshje, ata nuk arritën të gjuanin asnjëherë në pjesën e parë. Si përfundim, Clarke nisi një sulm patetik dhe ofendues ndaj gjyqtarit argjentinas pas ndeshjes.
Fituesi: Spanja
A mund të kishte shënuar Spanja më shumë gola në fazën e grupeve? Absolutisht.
Megjithatë, në fund të ditës, nuk ka pasur asnjë ekip më mbresëlënës në Gjermani. Është kënaqësi t’i shikosh në fushë Lamine Yamalin dhe Nico Williamnsin.
Luis de la Fuente ishte, po ashtu, të bënte dhjetë ndryshime për ndeshjen e fundit të fazës së grupeve kundër Shqipërisë. Ekipi i dytë i Spanjës dukej më i fortë se ekipet e para të shumicës së shteteve.
Humbësi: Luka Modriq
Në botë gjithnjë është e vështirë të gjesh lojtarë që pëlqehen nga e gjithë bota. Luka Modriq është një lojtar i tillë.
Pasi Kroacia ishte eliminuar nga një barazim në fund ndaj Italisë, në ndeshjen e së hënës në Grupin B në Leipzig, një gazetar italian vendosi të mos i bënte pyetje Modriqit. Ai në vend të kësaj e falënderoi për gjithçka që kishte dhënë në lojën e bukur ndër vite dhe iu lut që të mos tërhiqej kurrë.
Modriq tha se ai do të duhet të varë këpucët në gozhdë. Ai thjesht nuk ishte si dikur. Stadiumi i Leipzigut mund të jetë arena e fundit që do ta shohim Modriqin në arenën ndërkombëtare. Nëse po, ishte një fund tmerrësisht i trishtuar.
Fituesi: Christian Eriksen
Pas Kampionatit të fundit Evropian, ne menduam nëse do ta shihnim ndonjëherë Christian Erkiksenin në një fushë futbolli. Tre vjet më vonë, mesfushori ka qenë një nga lojtarët më të mirë të fazës së grupeve, duke e fituar epitetin e lojtarit më të mirë në dy nga tre ndeshjet. Ai këtë epitet e fitoi pas ndeshjes kundër Sllovenisë dhe Serbisë. Në mesfushë, ai zhvilloi paraqitje mbresëlënëse në ndeshjen 1:1 të Danimarkës kundër Anglisë.
“Këtë herë në Evropian, historia ime është shumë më ndryshe se nga hera e kaluar”, tha ai të martën, duke iu referuar situatës që e kaloi në Evropianin e zhvilluar në vitin 2021. Ai pati pësuar arrest kardiak në ndeshjen që Danimarka e luajti kundër Finlandës më 12 qershor të vitit 2021 në Kopenhagë.
“Ka pasur shumë ndeshje që kur ndodhi, por jam i lumtur që po luaj”.
Ishte po ashtu një gëzim ta shikoje atë në fushë. Asnjë lojtar nuk ka krijuar më shumë raste në Euro deri më tani. Pati 13 raste, ndërsa ishte, po ashtu, lojtari me më së shumti harkime të suksesshme.
Humbësi: Anglia
Anglia fitoi grupin e saj. Por, megjithatë, askush nuk po e favorizon skuadrën tmerrësisht të mërzitshme të Gareth Southgate për të vazhduar dhe për të fituar trofeun.
Anglia ka luajtur mirë vetëm për rreth 20 minuta në tri ndeshje. Në njëfarë mënyre është në të vërtetë mbresëlënëse që Southgate ka arritur të ketë një skuadër të mbushur me kaq shumë lojtarë të mëdhenj që paraqiten aq dobët. Tani për tani, edhe mbështetësit e tyre më të përmbajtur po acarohen seriozisht nga paraqitja tmerrësisht e dobët.
Nëse “Tre Luanët” nuk përmirësohen, duke filluar nga një e teta e finales së kësaj fundjave kundër Sllovakisë, ata do të kthehen në shtëpi shumë më herët nga sa pritej.
Fituesi: N'Golo Kante
Fushata e Francës nuk po ecën aspak sipas planit. Megjithatë, vendimi i Didier Deschampsit për ta kthyer N’Golo Kanten është vlerësuar mjeshtërore.
Mesfushori nuk kishte luajtur për vendin e tij për dy vjet përpara se të përfshihej në skuadrën e Francës për “Euro 2024”.
33-vjeçari ka qenë lojtari më i mirë i Les Bleus në Gjermani, pasi ka marrë tashmë dy çmime Lojtari i Ndeshjes!
Fituesi: Ralf Rangnick
“Ky djalosh nuk është as trajner”, tha Cristiano Ronaldo për Ralf Rangnick. “Të gjithë trajnerët që kam pasur në karrierën time i quaj shef sepse. Por thellë brenda meje, nuk e kam parë kurrë atë si shef”.
Ndoshta nëse Ronaldo dhe ish-shokët e tij të skuadrës në “Old Trafford” do ta kishin trajtuar gjermanin me pak më shumë respekt, Manchester United mund të mos ishte në një gjendje kaq të tmerrshme tani.
Përgjigjja është historia e deritashme në Euro 2024. Ai jo vetëm që është një trajner, ai është një trajner i mirë, siç e ka dëshmuar skuadra e tij fantastike e Austrisë.
Humbësi: Romelu Lukaku
Reagimi i Kevin de Bruyne të mërkurën i tha të gjitha. Rasti i humbur pas një pasimi të saktë.
Lukaku pa dyshim nuk është problemi i vetëm i Belgjikës. Megjithatë, Lukakut po bëhet një çështje madhore, pavarësisht nëse Domenico Tedesco dëshiron ta pranojë publikisht apo jo. Ai ende nuk ka shënuar dhe ka humbur më shumë raste (gjashtë) se çdo lojtar tjetër në Gjermani.
Fituesi: Georges Mikautadze
Georges Mikautadze është lojtari i vetëm që ka shënuar tri herë në fazën e grupeve, më shumë se favoritët e “Këpucës së Artë”, Kylian Mbappe dhe Harry Kane, të cilët kanë shënuar vetëm nga një gol, dhe Cristiano Ronaldo që është në pritje të golit.
Humbësi: Ukraina
Eliminimi i Ukrainës ishte krejtësisht zemërthyese. “Është e paprecedentë që një ekip me katër pikë humb në fazën eliminatore” i tha UEFA-s Oleksandr Tymchyk me emocione të kuptueshme . “Ne dhamë gjithçka për vendin tonë. Por ne i zhgënjyem ata”.
Ukraina e kishte bërë krenare vendin e saj të shkatërruar nga lufta me paraqitjet e saj kundër Belgjikës dhe Sllovakisë. Por luajtën dobët kundër Rumanisë.
Por, siç theksoi trajneri Serhiy Rebrov, kanë treguar karakterin e kombit të tyre.
Fituesi: Khvicha Kvaratskhelia
Askush nuk i dha Gjeorgjisë ndonjë shpresë reale për të arritur në fazën eliminatore në “Euro 2024”. Madje kishte dyshime të kuptueshme nëse debutuesit e turneut do të merrnin edhe një pikë në Grupin F.
Megjithatë, pas paraqitjeve të zjarrta kundër Turqisë dhe Çekisë, Gjeorgjia mahniti botën duke tronditur Portugalinë në Gelsenkirchen. Georges Mikautadze po udhëheq garën për “Këpucën e Artë”, ndërsa Khvicha Kvaratskhelia dëshmoi kundër Portugalisë se është i aftë të shtyjë para ekipin e tij.
Para fillimit të turneut, Gjeorgjia dukej si ekipi më i dobët. Siç rezulton, ata janë më të mirët për t’u parë.
Humbësi: Cristiano Ronaldo
Mënyra se si Roberto Martinez e menaxhoi kohën e lojës së Cristiano Ronaldos do të kishte gjithmonë një ndikim të madh në shpresat e Portugalisë për triumf në Gjermani.
Ronaldo nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka krijuar debat nëse e meriton të luajë në krye të sulmit për Portugalinë. Portugezët kanë Diogo Jotan dhe Gonçalo Ramos që presin me padurim paraqitjen në fushë. Fushata e Ronaldos në Kupën e Botës 2022 përfundoi me hidhërim. Tani ekziston një rrezik shumë real që eurot e tij të shkojnë në të njëjtën mënyrë.
Fitues: Gjermania
Pavarësisht nëse jeni duke brohoritur për Gjermaninë apo jo, nuk mund të mohohet se është gjithmonë më mirë kur vendi pritës bën mirë në një turne ndërkombëtar.
Gjermania mund të mos ketë pasur paraqitje të mirë ndaj Zvicrës, por i ka të gjitha mundësinë për të kaluar Danimarkën dhe të ketë përballje me Spanjën.