Kosova nuk është pjesë e Evropianit në Gjermani, por Federata e Futbollit e Kosovës ka nisur tashmë ankesën e dytë në UEFA lidhur me ngjarjet në Evropian.
FFK-ja reagoi fillimisht për sjelljet e tifozëve serbë para dhe gjatë ndeshjes së Serbisë me Anglinë. Federata serbe u dënua më pas për thirrjet anti-Kosovë dhe shpalosjen e flamurit të Serbisë mbi hartën e Kosovës dhe me mbishkrimin “s’ka dorëzim”.
Të enjten Serbia luajti me Slloveninë, ndërsa sërish u shfaq flamuri i njëjtë, ndërsa fyerje ndaj Kosovës kishte para ndeshjes.
“FFK-ja dënon fuqimisht thirrjet nacionaliste dhe vendosjen e flamurit serb me hartën e Kosovës e me mbishkrimin ‘S’ka dorëzim’. Përsëritja e sjelljeve të tilla në stadiumet e futbollit, edhe pas dënimeve të mëparshme nga UEFA, është e papranueshme dhe kërkon rigorizitet më të madh nga organet vendimmarrëse të UEFA-s. Mesazhet me retorikë shoviniste janë skandaloze, bien ndesh me vlerat që përçon sporti dhe minojnë parimet bazë të UEFA-s. U bëjmë thirrje edhe një herë organeve të UEFA-s që të jenë më rigoroze ndaj përsëritjes së mesazheve të tilla armiqësore ndaj vendit tonë, si anëtar i barabartë me të gjitha vendet e tjera në familjen e futbollit evropian. Po ashtu kërkojmë nga organizatorët të rrisin vigjilencën për të mos lejuar shfaqjen e mesazheve të tilla”, shkruan në njoftimin e FFK-së lidhur me ankesën e dytë në UEFA.