Euro 2024

E pabesueshme - katër pikë nuk i mjaftojnë Ukrainës

Ukraina

Belgjika barazoi pa gola me Ukrainën të mërkurën dhe ka avancuar në 1/8 e finales së Kampionatit Evropian 2024, ku do të ballafaqohet me Francën.

Ndërkohë, Ukraina është eliminuar nga turneu.

Rumania e mbylli garën në grupin E si fituese, pasi barazoi me Sllovakinë 1:1 në ndeshjen tjetër të xhiros së tretë.

Të gjitha katër përfaqësueset i  patën nga katër pikë. Kjo ka ndodhur për herë të parë në histori të kampionateve evropiane.

Rumania e dërgoi Belgjikën në pozitën e dytë pasi pati goldallim më të mirë.

Sllovakia përfundoi në vendin e tretë, falë goldallimit më të mirë se Ukraina që përfundoi e katërta. Sllovakia avancon tutje si njëra prej katër përfaqësueseve më të mira të vendit të tretë.

Ekipi i Belgjikës, i udhëhqur nga Domenico Tedesco, e pati posedimin e topit thuajse në tërë ndeshjen, por ishte Ukraina e drejtuar nga Serhiy Rebrov që pati më shumë raste për shënim.

Në pjesën e dytë raste patën të dy përfaqësueset, por gola nuk kishte.

Franca dhe Belgjika luajnë në 1/8 e finales të hënën, më 1 korrik. Kjo ndeshje luhet në Duesseldorf.


Formacionet zyrtare Ukraina – Belgjika, ylli i Chelseat në bankën rezervë

Tri ndryshime janë bërë te Ukraina që fitoi 2:1 ndaj Sllovakisë të premten.

Lajmi më i madh është se sulmuesi i Chelseat, Mykhailo Mudryk, nuk është në skuadër.

Mbrojtësi i majtë i Evertonit, Vitaliy Mykolenko, është shëruar nga lëndimi i nyjës së këmbës dhe është titullar.

Ndërkohë, Oleksandr Zinchenko i Arsenalit është në bankën rezervë.

Në bankën rezervë është edhe Andriy Yarmolenko, kurse Georgiy Sudakov dhe Roman Yaremchuk janë titullar.

Formacioni i Ukrainës:

Trubin, Svatok, Yaremchuk, Dovbyk, Zabarnyi, Sudakov, Mykolenko, Brazhko, Shaparenko, Matviyenko, Tymchyk.

Ndërkohë, selektori Domenico Tedesco ka bërë vetëm një ndryshim nga formacioni i Belgjikës që e mposhti Rumaninë.

Leandro Trossard kthehet në 11-she dhe e zëvendëson Dodi Lukebakion, i cili është i suspenduar pasi ka marrë dy kartonë të verdhë.

Formacioni i Belgjikës:

Casteels, Theate, Faes, Vertonghen, De Bruyne, Tielemans, Trossard, Lukaku, Castagne, Doku, Onana.

Belgjika luan ndaj Francës

9 muaj më parë / 26 qer 2024 20:08
Belgjika - Franca

Belgjika do të përballet me Francën në një të tetën e finales në Euro 2024.

Ndeshja Francë – Belgjikë zhvillohet më 1 korrik nga ora 18:00 në Duesseldorf.

Pa gola në pjesën e parë të ndeshjes Ukrainë – Belgjikë

9 muaj më parë / 26 qer 2024 18:57
Euro 2024

Nuk janë shënuar gola në pjesën e parë të ndeshjes mes Ukrainës dhe Belgjikës. Të dy përfaqësueset kishin raste, por që nuk i konkretizuan.

Me rezultatet aktuale të gjitha katër përfaqësueset e Grupit E i kanë nga katër pikë. Vetëm Ukraina eliminohet.

Tabela e Grupit E pas pjesës së parë. A do të përfundojë ndeshja Sllovaki - Rumani me barazimin e përshtatshëm për dy përfaqësueset. Me rezultatet aktuale vetëm Ukraina eliminohet.

Në grupet tjera kanë mjaftuar 3 pikë për kualifikim. Ukrainë mund të eliminohet me 4 pikë.