Euro 2024

Dyshime se mund të përsëritet “turpi i Gijonit”

Slovakia - Rumania

Rumania dhe Sllovakia takohen në grupin më të ekuilibruar në Kampionatin Evropian. Një barazim të mërkurën do t’i dërgonte të dyja përfaqësueset në një të tetën e finales të “Euro 2024”.

Ndeshja Sllovaki – Rumani zhvillohet të mërkurën nga ora 18:00 në Franfurt, në të njëjtën kohë kur Belgjika dhe Ukraina përballen në Stuttgart.

Çdo përfaqësuese në Grupin E mund të përfundojë nga pozita e parë deri në pozitën e fundit. Është i vetmi grup në “Euro 2024”, ku secila përfaqësuese fitoi një ndeshje dhe humbi një, në dy raundet e para. Të gjitha përfaqësueset i kanë nga tre pikë.

Rumania dhe Sllovakia do të kualifikoheshin në fazën nokaut me një barazim. Nëse ndodh kështu, Rumania do të jetë në dy vendet e para për shkak të goldallimit superior ndaj Sllovakisë. Sllovakia do të ishte e treta dhe ndër katër përfaqësueset më të mira të vendit të tretë që do të avanconin.

“Biscotto” është fjala italiane për biskotën që në gjuhën e futbollit do të thotë një lojë ku dy skuadra mund të ofrojnë një rezultat që u përshtatet të dyjave. Shembulli më i famshëm është fitorja 1:0 e Gjermanisë Perëndimore ndaj Austrisë në Kupën e Botës 1982, ku të dyja skuadrat ndaluan së luajturi pas golit të minutës së 11-të. Ndeshja e njohur si “Turpi i Gijonit” e eliminoi Algjerinë. Ajo ndeshje bëri që në turnetë e ardhshëm të luhej në të njëjtën kohë raundi i fundit i ndeshjeve në një grup.

Pamje nga ndeshja Gjermania Perëndimore kundër Austrisë në Kupën e Botës 1982

Trajneri i Rumanisë, Edi Iordanescu, hodhi poshtë pretendimet se përfaqësuesja e tij dhe Sllovakia kanë pajtueshmëri për të luajtur baras.

“Ne do të luajmë për t’u kualifikuar dhe duam të përfundojmë të parët”, u tha Iordanescu gazetarëve të martën.

Trajneri i Sllovakisë, Francesco Calzona, ka insistuar se ekipi tij tashmë është fitues moral i grupit.

“Ne jemi historia e fazës së grupeve”, ka thënë Calzona.

Përballje interesante është edhe ajo në mes të Ukrainës dhe Belgjikës. Trajnerët e dy përfaqësueseve presin fitore nga lojtarët e tyre.

“Ukraina u ka krijuar vështirësi të gjithëve, madje edhe skuadrave si Anglia, Italia dhe Gjermania. Ukrainasit mund të garojnë në nivel të lartë me çdo përfaqësuese”, tha trajneri i Belgjikës, Domenico Tedesco.

Trajneri i Ukrainës, Serhiy Rebrov, është optimist po ashtu.

“Para se të fillonte grupi ynë të gjithë e dinin që Belgjika ishte favoritja. Në këtë garë, gjithçka është e mundur”, ka thënë Rebrov.

VIDEO: Pamje nga ndeshja Gjermania Perëndimore kundër Austrisë në Kupën e Botës 1982

LEXO EDHE: