Kualifikimi i parë i Anglisë në finale të një ngjarjeje të madhe që mbahet jashtë këtij vendi, është fryt i dekadës së punës në programin për zhvillimin e lojtarëve. Kështu Anglia nga një përfaqësuese që ndalej herët është shndërruar në pretendente të vazhdueshme. Suksesi në “Euro 2024” e dëshmon këtë.
Përfundimi i pritjes prej 58 vjetësh, për trofe të madh në futbollin ndërkombëtar është pengesa e fundit që mbetet për t’u kaluar nga djelmoshat e Gareth Southgate. Anglia paraqitet të dielën në finale ndaj Spanjës. Anglia ka pasur suksese në grupmoshat e reja edhe te futbollistet, por trofeu i rëndësishëm te seniorët po i mungon gjatë.
Disa muaj pasi Anglia u ndal në fazën grupore në Kupën e Botës 2014, Southgate, që atëbotë ishte trajner i U21, u shfaq përkrah Dan Ashworthit, drejtorit teknik të Federatës Angleze. Ata prezantuan planin e quajtur “England DNA”, që kishte për synim ndërthurjen e futbollit pasionant të Anglisë me teknikë më të mirë dhe me mentalitet më të fortë për të përballuar presionin e turneve të mëdhenj.
“Një prej thënieve që përdorim është se ‘gjëja e vetme që ndryshon është madhësia e fanellës’”, kishte thënë Ashworth, që së fundi u emërua drejtor sportiv të Manchester Unitedi, pas periudhave të suksesshme te Brightoni dhe Newcastle.
“Kështu që ndërsa ata bëjnë rrugën e futbollistëve, nga grupmosha U15 deri te seniorët, ne kemi disa mesazhe të rëndësishme për ta. Nëse të gjithë janë në të njëjtën linjë dhe të gjithë pranojnë dhe besojnë në atë që po përpiqeni të bëni, mund të bëhemi shumë më të fuqishëm”.
Prej atëherë janë rezultatet që flasin dhe atë në secilin nivel.
Shumë prej lojtarëve që janë në ekipin e Southgate në Evropianin në Gjermani, kanë përjetuar tashmë ndjenjën e suksesit me të rinjtë. Anthony Gordon dhe Cole Palmer ishin pjesë e skuadrës që mposhti Spanjën në finale për të fituar Evropianin U21, për herë të parë në 39 vjetët e fundit. Kjo ndodhi 12 muaj më parë.
Ezri Konsa, fitoi Kupën e Botës U20 në vitin 2017, kurse në të njëjtin vit Phil Foden u shpall lojtari më i mirë. Ai së bashku me Marc Guehin dhe Conoc Gallagherin e fituan Kupën e Botës U17.
Futbollistet e Anglisë fituan turneun e parë të madh në “Euro 2022”. Vjet u paraqitën në finale të Kupës së Botës.
“Si vend i futbollit, ne jemi karakterizuar prej kohësh nga pasioni, shpirti luftarak dhe përpjekjet e vazhdueshme”, kishte thënë Ashworth atë kohë. “Ndonëse ka aspekte të këtyre karakteristikave që duam t’i ruajmë, ne nuk duam të përkufizomi vetëm në to”.
Kombinimi i stilit të vjetër për të mos u dorëzuar asnjëherë me lojtarët me nivel teknik më të lartë, e ndihmoi Anglinë që të arrij në finale të “Euro 2024”.
E vlerësuar para Evropianit si një prej favoriteve, selektori Gareth Southgate, ka pranuar se pritjet ishin barrë e rëndë. Anglia kaloi fazën e grupeve duke i shënuar vetëm dy gola.
Anglisë më pas i janë dashur gola të vonshëm dhe shkëlqim individual për të kaluar Sllovakinë dhe Zvicrën, rrugës për në gjysmëfinale.
Të mërkurën në Dortmund kundër Holandës, dekada e planifikimit të Anglisë mori shpërblimin e saj. Gjysmëfinalja u fitua 2:1.
“Kam imagjinuar një kohë të gjatë, që një përfaqësuese angleze të ketë posedim të topit prej 60 për qind ndaj një përfaqësuese si Holanda. Kjo tregon rrugën moderne që po i përmbahet Anglia”, tha pas ndeshjes selektori Southgate.
Prova përfundimtare është në prag. Anglia përballet me Spanjën që i fitoi të gjitha ndeshjet e deritashme. Ka eliminuar edhe Gjermaninë e Francën, ndërsa ishte në anën e vështirë të shortit.
Anglia i është afruar shumë herë trofeut, por vazhdimisht ka munguar diçka.
Arriti në gjysmëfinale të Kupës së Botës 2018, ndonëse nuk vlerësohej me potencial. U mposht më pas nga Italia me penallti në “Euro 2020”, në finalen në “Wembley”.
Më shumë dëshpërim erdhi në Katar dy vjet më parë. Anglezët u ndalën 2:1 nga Franca në çerekfinale, ndonëse në fushë shkëlqyen.
Por, gjithë kjo përvojë ka vendosur anglezët në pozitën më të mirë ndonjëherë për ta fituar titullin e Evropës për herë të parë.
“Në ndeshjet nokaut po futemi më të qetë. Kur fituam për herë të parë ndeshje nokauti në Rusi, nuk kishim fituar asnjë ndeshje në këtë fazë për 10 vjet”, vazhdoi Southgate.
“Nuk e kishim përvojën e duhur. Tani kemi shumë ndeshje çerekfinale, gjysmëfinale. Finalja e fundit ishte në Evropianin tim të parë si selektor. Nëse nuk i kam bërë gjërat si duhet, kërkoj falje. Do të përpiqem të bëjë më të mirën këtë javë”.