Përzgjedhësi i Spanjës, Luis de la Fuente, ka thënë se ndeshja me Francën do të mund të ishte finale e denjë e Evropianit në Gjermani.
Por Spanja e Franca takohen për vend në finale, të martën prej orës 21:00 në Munih. Bëhet fjalë për dy prej përfaqësueseve më të mëdha të kontinentit, por që kishin formë të ndryshme në Euro 2024. Derisa Spanja ka shkëlqyer, Franca ka pasur telashe të mëdha.
“Është mundësi fantastike. Jemi paraqitur shumë mirë. Kjo ndeshje do të mund të ishte finale. Dy ekipet janë të shkëlqyera. Çdo gjë do të vendoset nga detajet e vogla. Do të mundohemi të jemi të vërtetit, me të gjitha forcat që na sollën kaq larg”, ka thënë De la Fuente të hënën në konferencë për shtyp.
Ai ka pranuar se Spanja luan futboll të bukur, por ka thënë se në fund vlen fitorja, sidomos në gjysmëfinale të Evropianit.
“Duam të luajmë futboll të bukur, por edhe futboll praktik pasi në fund vlen vetëm rezultati. Gjëja e rëndësishme gjithnjë është të fitosh”, ka theksuar De la Fuente. Ai nuk është prej trajnerëve më të njohur spanjollë, por po impresionon në Gjermani.
De la Fuente ka vlerësuar lart Francën. Ka thënë se potenciali i francezë është i jashtëzakonshëm.
“Franca ka lojtarë të nivelit më të lartë botëror. Unë gjithnjë kënaqem duke shikuar futboll, sidomos një ekip të madh si Franca“.
Selektori spanjoll ka theksuar se lojtarët e tij janë rikuperuar mirë. Ka pranuar se ka tension dhe stres para gjysmëfinales.
Lamine Yamal po shkëlqen te Spanja, ndonëse është ende 16-vjeçar.
“Duke ditur se sa i ri është, ai po mëson çdo gjë shumë shpejt. Ai duhet ta dijë që kur lojtarët kundërshtarë ta njohin, gjërat do të bëhen më të vështira”, ka theksuar De la Fuente.