Mesfushori i Barcelonës, Frankie de Jong, të shtunën i është bashkuar kampit stërvitor të përfaqësueses së Holandës, me shpresë për t’u rikuperuar në kohë për ndeshjet e Evropianit 2024 që do të mbahet në Gjermani.
Ai në muajin prill ka pësuar lëndim të rëndë në kyçin e këmbës së djathtë.
27-vjeçari De Jong të dielën për “Cadena NOS”, është shprehur së është në gjendje të rrezikoj për tu paraqitur në Evropian.
“Jam i përgatitur të ndërmarr disa rreziqe për të luajtur në Kampionatin Evropian me Holandën. Por më e rëndësishmja për mua është që të mos bëhet një dëmtim kronik i kyçit të këmbës. Nëse gjithçka shkon siç pritet dhe pa probleme me kyçin e këmbës, atëherë të luaj në Evropian është e realizueshme. Unë ende punoj individualisht, më pas duhet të bashkohem në grup dhe të punoj drejt një situate që mund të marr kohë për të luajtur. Në fakt, kjo mund të ndodhë edhe gjatë turneut. Nuk ka afate strikte, por duhet të ketë mundësi për pjesëmarrje në ndeshje. Përndryshe, nuk ka kuptim të qëndrosh”, është shprehur De Jong.
Mesfushori i Barcelonës do t’i mungojë Holandës në dy ndeshjet miqësore, me Kanadanë më 6 qershor dhe me Islandën më 10 qershor.
Holanda në Evropian gjendet në Grupin D së bashku me Poloninë, Austrinë dhe Francën.