Euro 2024

De Biasi: Shqipëria më e fortë se në të kaluarën, Italia e rrezikshme kur nuk vlerësohet

Gianni De biasi

Ish-selektori i Shqipërisë, Gianni de Biasi, beson se Italia nuk bën të anashkalohet lehtë në Euro 2024. Sipas teknikut italian, Shqipëria është më e fortë se kur ai e udhëhoqi në Euro 2016.

Ndeshja mes Italisë dhe Shqipërisë është e veçantë për De Biasin, italianin që u bë hero në Shqipëri kur e kualifikoi atë për Euro 2016. Ai ka kujtime shumë të mira nga Evropiani në Francë, shkruan Reuters.

“Ishte emocion unik. Nga debutimi ndaj Zvicrës, te ndeshja në Marseille ndaj Francës e humbur në minutën e 90-të, pasi goditëm shtyllën në pjesën e dytë”, ka thënë De Biasi.

“Më pas shënuam fitoren e parë e historike ndaj Rumanisë në Lyon”.

De Biasi u largua në vitin 2017 dhe beson se ka ndikim në atë se ku është Shqipëria tani. 

“Mendoj se i kam dhënë një dorë të mirë zhvillimit të futbollit në Shqipëri”, ka thënë De Biasi.

Ai lavdëron Sylvinhon dhe ekipin që ka formuar braziliani.

“Shqipëria ka përparuar shumë në vitet e fundit, shikuar nga aspekti teknik. Sylvinho ia doli të bashkojë një ekip me plot futbollistë që luajnë në ligat më të mira evropiane. Ekipi ka lidhje speciale me trajnerin dhe federata ka bërë punë të madhe në 10 vjetët e fundit. Ekipi aktual ka më shumë kualitet dhe më shumë talent se ekipi im. Por mendoj se nga pikëpamja e karakterit dhe përkushtimit, Shqipëria ka fituar respektin e të gjithëve për krenarinë me të cilën përballet me kundërshtarë”, thotë De Biasi.

Ai ka folur edhe për Italinë.

“Nuk është Italia me lojtar të shkëlqyer, por në vështirësi apo kur nuk ka gjasat në anën e saj, Italia bëhet shumë e rrezikshme”, thotë De Biasi.