Euro 2024

Danimarka do t’i gjejë tifozët që shfaqën pano fyese dhe do t’i detyrojë të paguajnë dënimet e UEFA-s

Kombëtarja e Danimarkës

Foto: Associated Press

Mynih, 24 qershor –  Zyrtarë të Federatës së Futbollit të Danimarkës do të kërkojnë tifozët që shpalosën një banderolë fyese në ndeshjen kundër Anglisë dhe do t’i detyrojnë ata të paguajnë gjobën me të cilën është dënuar federata nga UEFA.

Federata e Futbollit të Danimarkës është gjobitur me 10 mijë euro të hënën nga UEFA, për shkak të një panoje me përmbajtje fyese. Fyerja ishte e drejtuar për UEFA-n, ndërsa panoja u shfaq në barazimin 1:1 të Danimarkës me Anglinë, të mëkurën e kaluar.

“Ne e paguajmë gjobën. Por gjëja më e rëndësishme për ne është që të identifikojmë ata që kanë sjellë panon dhe që atyre t’ua përcjellim faturën. Ne tashmë po punojmë për këtë”, ka theksuar drejtori i Federatës së Futbollit të Danimarkës, Erik Brogger Rasmusson për TV 2 Sport.

“Nëse i gjejmë ata mund të paguajnë. Shpresojmë që ata që mund të sjellin një pano me këtë përmbajtje në stadium, do të mendojnë dy herë para se të bëjnë këtë. Në fund të fundit është një faturë e majme”, ka shtuar zyrtari i federatës daneze.

UEFA tashmë ka ndarë gjoba të majme edhe për Federatën e Futbollit të Shqipërisë, për federatën serbe dhe atë të Kroacisë.

FSHF-ja ndër të tjera është dënuar edhe për hyrjen e tifozëve në fushë. Ndoshta Federata Shqiptare mund të frymëzohet nga ajo daneze për të përcjellë faturën tek ata që bëjnë shkeljet.