Mbrojtësi i Spanjës, Marc Cucurella, ka thënë se nuk e di se çka kanë dashur tifozët gjermanë të arrijnë, pasi është fishkëllyer gjatë gjithë ndeshjes gjysmëfinale me Francën, të martën në Munih.
Cucurella u fishkëllye shumë që nga fillimi i ndeshjes të cilën Spanja e fitoi 2:1. Sa herë që kishte topin, tifozët gjermanë në tribuna kanë fishkëllyer me të madhe.
Mbrojtësi i Chelseat po sulmohet për shkak të lojës me dorë në çerekfinale ndaj Gjermanisë, të premten e kaluar. Ndonëse duket që topi ka goditur në dorë spanjollin, arbitri nuk dha penallti dhe UEFA tha më pas se vendimi ishte plotësisht i drejtë. Vendimi u arsyetua me faktin që dora e Cucurellas nuk ishte në pozitë jo të natyrshme. Por gjermanët kanë ndier se janë dëmtuar. Në Gjermani u nënshkrua edhe një peticion për përsëritje të ndeshjes, që megjithatë nuk kishte ndonjë efekt.
Cucurella megjithatë vazhdon të mos jetë i dashur për gjermanët. Është raportuar që ai mbeti i befasuar pasi u fishkëllua nga tifozët gjermanë. Por ka insistuar se nuk ka bërë asgjë të keqe.
“Janë gjëra që ndodhin, nuk e fajësoj askënd”, ka thënë Cucurella për radion spanjolle “Cadena Cope”.
“Nuk e di çka kanë dashur të arrijnë me këtë, por është kështu si është. Gjëja më e rëndësishme është që jemi në finale. Kjo është e tëra”, ka shtuar 25-vjeçari.
Selektori i Spanjës, Luis de la Fuente ka thënë se fishkëllimat e kanë motivuar Cucurellan që të paraqitet më mirë ndaj Francës në gjysmëfinale të Evropianit.
Bashkëlojtari i Cucurellas, Daniel Vivian ishte shumë kritik. Ai ka theksuar se trajtimin i Cucurellas ishte i turpshëm.
“Asnjë lojtar nuk e meriton këtë”, ka thënë Vivian për “Kicker”.
“Mendoj se nëse vini në stadium për të fishëkllyer ndaj dikujt, ju nuk keni respekt për dikë që e bën punën e tij”.
Cucurella ka pasur paraqitje të mira në Evropian. Ka startuar në pesë prej gjashtë ndeshjeve të Spanjës. Në gjysmëfinale ndaj Francës ishte impresiv, shkruan “Daily Mail”.