Euro 2024

Clattenburgu çuditet me vendimin e UEFA-s

Mark Clattenburg

Ish-gjyqtari Mark Clattenburg ka shpjeguar të shtunën pse vendimi për ta deleguar gjyqtarin Francois Letexier në finalen e Evropianit 2024, është “befasi e madhe” për të, shkruan “Goal.com”. 

Clattenburgu ka qenë i pakënaqur me delegimin e gjyqtarit, i cili ka ndarë drejtësi në tri ndeshje të këtij turneu deri tani. 

Ai ishte gjyqtar kryesor në barazimin e Shqipërisë me Kroacinë, barazimin e Danimarkës me Serbinë dhe fitoren 4:1 të Spanjës ndaj Gjeorgjisë. 

Megjithatë, ai nuk vlerësohet as si gjyqtari më i mirë francez. Në fakt, gjyqtari më i mirë francez është Clement Turpin. 

“Turpin, ndryshe nga Letexier, ka finale të Ligës së Evropës dhe Ligës së Kampionëve në CV-në e tij. Por unë mendoj se atë e kanë penalizuar gabimet në ndeshjen e Skocisë me Gjermaninë. Natyrisht, në finale nuk mund të caktosh gjyqtar anglez apo spanjoll për arsye të qarta. Daniele Orsato i Italisë do të pensionohet pas Evropianit, kështu që do të ishte ndeshje emocionuese për t’u fokusuar. Letexier ka pasur ndeshje të mira në Evropian, por më e rëndësishme që e ka referuar ka qenë Superkupa 2023 ndërmjet Manchester Cityt dhe Sevillas. Do të ketë shumë presion në të”, ka deklaruar Clattenburg. 

Anglia synon trofeun e parë në 58 vjet kundër Spanjës të dielën. Spanja e kërkon trofeun e katërt në Evropian.