Portieri i ri i parë i Belgjikës, Koen Casteels mund të dalë nga hija e Thibaut Courtois në Evropianin që fillon pas një jave. Casteels do ta ketë përkrahjen e bashkëlojtarëve, ka thënë Thomas Meunier të premten.
31-vjeçari Casteels do të jetë portieri i parë i Belgjikës në Euro 2024. Këtë e bëri të ditur selektori Domenico Tedesco, që kishte një përplasje me portierin e Real Madridit, Courtois, vitin e kaluar.
Casteels, që luan për Wolfsburgun në Bundesligë, ka luajtur në katër prej dhjetë ndeshjeve të fundit të Belgjikës, në mungesë të Courtois.
Ylli i Real Madridit, Courtois, la përfaqësuesen vitin e kaluar pasi nuk u zgjodh kapiten. Një muaj më pas pësoi lëndim serioz të gjurit.
Portieri i Nottingham Forestit, Mats Sels ka startuar në gjashtë ndeshjet tjera.
Courtois u kthye muajin e kaluar te Real Madridi dhe bëri disa pritje vendimtare në finalen e Ligës së Kampionëve. Madridi fitoi ndaj Borussia Dortmundit.
Por Courtois më herët kishte theksuar se nuk do të jetë gati për Evropianin në Gjermani.
I pyetur nëse Casteels mund të sigurojë tifozët e Belgjikës se mungesa e Courtois nuk do të vërehet, Meunier ka thënë: “Ai duhet të dëshmojë këtë gjatë turneut. Por nuk ka dyshime për kualitetin e tij. Ai e ka dëshmuar këtë tashmë në Bundesligë. E gjithë skuadra i beson dhe jam i bindur se do të ketë turne shumë të mirë”, ka shtuar mbrojtësi i Trabzonsporit.
Meunier po ashtu ka theksuar se ka besim të konsiderueshëm te trajneri 38-vjeçar Tedesco, që do të jetë në turneun e parë të madh.
“Paraqitja në Kampionat Evropian do të thotë se secila ndeshje është e rëndësishme dhe që nuk ka asnjë ndeshje më pak të vlefshme”, ka shpjeguar Meunier. “Tedesco ka përvojë me sukses të shpejtë në ndeshje të rëndësishme. Në të kaluarën ai ka pasur ndeshje në Bundesligë, ndeshje për Kupë dhe ndeshje në Champions brenda një kohe të shkurtër. Është pak a shumë kjo edhe në Kampionat Evropian”.