Belgjika dhe Kevin De Buryne përballen me Sllovakinë në nismë të kampanjës së tyre në Kampionatin Evropian. Ndeshja e Grupit E zhvillohet të hënën prej orës 18:00 në Frankfurt.
Do të ketë ndikim të madh italian në ndeshje. Selektori i Sllovakisë, Francesco Calzona është italian, ndërsa ishte trajner i përkohshëm i Napolit që nga muaji shkurt.
Selektori 38-vjeçar i Belgjikës, Domenico Tedesco është i lindur në Itali, por është shtetas i Gjermanisë.
Sllovakia paraqitet për herë të tretë në Evropian si vend i pavarur. Në vitin 2016 arriti në një të tetën e finales, ku u ndal nga Gjermania, 3:0.
Belgjika ishte mposhtur në finale në vitin 1980.
Belgjika e Sllovakia nuk janë takuar asnjëherë në ndeshje garuese, ndërsa së fundi miqësore kishin zhvilluar 11 vjet më parë. Belgjika, ku si 21-vjeçar u paraqit De Bruyne, kishte fituar 2:1 në Brugge.
Belgjika është pa njërin prej portierëve më të mirë në botë, Thibaut Courtois. Ai mbeti në shtëpi pasi fillimisht kishte përplasje me selektorin rreth shiritit të kapitenit e më pas u lëndua.
Belgët janë favoritë të mëdhenj ndaj Sllovakisë.
“Ndiej se ekipi është gati dhe ka shumë energji për të bërë gjëra të mira”, ka thënë kapiteni belg, De Bruyne. “Ekipi ka ndryshuar pas Botërorit, ka shumë lojtarë të rinj. Kemi luajtur mirë ndaj Anglisë dhe Gjermanisë, por Evropiani është ndryshe”, ka shtuar De Bruyne.
Te Sllovakia kanë thënë se janë gati për të përballuar sulmet e belgëve.
“Ekipi është në formë të mirë, të gjithë kanë ushtruar dhe janë rikuperuar plotësisht. Belgjika ka fare pak pika të dobëta. Ka top-lojtarë në përbërje. Duhet të përballojmë këtë dhe të mundohemi të marrim rezultat pozitiv. E dimë që belgët janë favoritë”, ka thënë selektori sllovak, Francesco Calzona.