Euro 2024

Behrami: Zvicrës i duhet plan B nëse mbulohet Xhaka

Valon Behrami

Ish-mesfushori Valon Behrami ka vazhduar me analizat e tij për paraqitjet e Zvicrës në Evropian. 

Ai nëpërmjet kolumnes për “20 Minuten” ka analizuar ndeshjen e fundit të Zvicrës ndaj Skocisë, e cila të mërkurën përfundoi baras, 1:1. 

Ai ka shkruar se Zvicrës i duhet plan B nëse kundërshtarët do ta mbulojnë kapitenin Granit Xhaka.
Behrami ka theksuar se Zvicra 99.9 për qind ka siguruar kalimin në fazën nokaut të Evropianit në Gjermani. 

“Nuk është sekret që Graniti është një lojtar kyç për ekipin. Ne kemi nevojë urgjente për një plan B nëse kundërshtarët vazhdojnë t’i qëndrojnë afër në ndeshjet e ardhshme. E mira është që Murat Yakin dhe stafi tij kanë kohë ende për të krijuar një variant”.

Ai ka shtuar se ka drojën se Shaqiri të dielën do të jetë sërish në stol për ndeshjen ndaj Gjermanisë. 

“Ai e shfrytëzoi mirë rastin e tij kundër Skocisë. Shaqiri është një fenomen. Mënyra se si ai e shfrytëzon skenën e madhe të këtyre turneve është unike. Kjo thjesht nuk mund të shpjegohet. Nuk ka bërë sezon të mirë me Chicagon, vjen nga pankina dhe krijon këtë moment magjik. Ky gol është vërtet diçka e veçantë për të. Xherdani tani është në disponim të mirë dhe me plot vetëbesim. Kjo është shumë e rëndësishme për ekipin, për turneun dhe marrëdhënien mes tij dhe Murat Yaknit. Kundërshtarët do t’i frikësohen atij pas këtij goli. Ndoshta të dielën Gjermania”, e ka mbyllur Behrami kolumnen. 

Gjermania tashmë ka siguruar kalimin në raundin nokaut. Edhe Zvicra thuajse e ka të sigurt. 

Gjermania ka gjashtë pikë, kurse Zvicra katër.