Ish-mesfushori Valon Behrami sheh zhvillim pozitiv në Përfaqësuesen e Zvicrës. Por ai ka dyshime për lojën e Xherdan Shqirit.
Behrami është angazhuar si kolumnist dhe ekspert për “Euro 2024” në gazetën e madhe zvicerane “20 Minuten” dhe shkruan kolumne herë pas here.
Behrami ka shkruar se ka parë elemente pozitive në fitoren që Zvicra e shënoi të martën në miqësoren e luajtur në Luzern ndaj Estonisë 4:0. Ai sheh ndryshime pozitive te kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, ndërsa për lojën e Shaqirit, sidomos në fazën defensive, thotë se “lë për të dëshiruar”.
“Sezoni fantastik me Bayer Leverkusenin duket se ka lënë gjurmë. Në këtë lojë pamë një lojtar të ri, Granit Xhaka. I qetë me topin gjatë lojës, shumë konstruktiv dhe mbështetës i shokëve të skuadrës. Graniti ka qenë gjithmonë lider i qartë, por me këtë stil mund të ketë sërish një ndikim të madh dhe mbi të gjitha pozitiv në të gjithë ekipin në ndeshjet dhe skenën e rëndësishme të Evropianit”, ka shkruar fillimisht Behrami në kolumnen e publikuar të mërkurën.
Behrami ka analizuar edhe lojën e Shaqirit, i cili shënoi nga penalltia golin e katërt në fitoren e helvetikëve.
“Në pikëpytje për mua është Xherdan Shaqiri. Sigurisht që ai kishte momentet e tij të shkëlqyera në lojë, por puna e tij në mbrojtje dhe gatishmëria për të vrapuar lë shumë për të dëshiruar. A po i mbyllin boshllëqet lojtarët e tjerë për të? Kjo mund të funksionojë kundër Skocisë apo Hungarisë – unë kam shqetësimet e mia për ndeshjen kundër Gjermanisë”, ka vazhduar shkrimi i Behramit.
Shaqiri dhe Xhaka për shumë vjet kanë bartur barrën kryesore te Zvicra. Janë liderë të padiskutueshëm te përfaqësuesja helvetike.
Behrami ka lavdëruar edhe punën e selektorit Murat Yakin. Ka thënë se loja e Zvicrës nën drejtimin e Yakinit ka nisur të marrë formë. Ai ka shkruar se testi i vërtetë i Zvicrës para Evropianit do të jetë përballja ndaj Austrisë. Miqësorja ndaj Austrisë është edhe e fundit për Zvicrën para Evropianit që nis më 14 qershor.