Euro 2024

Behrami: Italia nuk është favoritja ime

Italia

“Do të jetë betejë, do të jetë ndeshje e nivelit të lartë taktik dhe është ndeshje 50-50”.
Kështu ka shkruar Valon Behrami në kolumnen e tij të rregullt për gazetën zvicerane “20 Minuten”, lidhur me ndeshjen mes Zvicrës e Italisë.

Zvicra e Italia përballen të shtunën nga ora 18:00 në Berlin, në ndeshjen e parë të një të tetës së finales në Euro 2024.

Ish-reprezentuesi i Zvicrës nuk e sheh Italinë favorite, ndonëse ajo është kampione në fuqi.
“Italia nuk është favoritja ime. Jo pse i nënvlerësoj italianët, por pasi ekipi i Zvicrës më jep shumë besim. Ekipi meriton të arrijë diçka historike për futbollin zviceran, bazuar në paraqitjet dhe zhvillimin në muajt e fundit”, ka shkruar tutje Behrami.

Sa i takon fizikalitetit, Behrami thotë se Zvicra qëndron dukshëm para. Ka përmendur sulmuesit Breel Embolo dhe Dan Ndoye, që sipas Behramit janë më të fortë dhe më të shpejtë se italianët.
Behrami vlerëson se Remo Freuler mund të jetë prej figurave kryesore të Zvicrës në ndeshjen ndaj Italisë.

“Zvicra në aspektin taktik është e paparashikueshme pasi ka shumë alternativa. Italia është taktikisht e paparashikueshme pasi nuk e ka gjetur ende konceptin e saj. Kjo e bën të vështirë përgatitjen e Zvicrës për ndeshje. Dhe këtu futen në lojë liderët, Granit Xhaka e Manuel Akanji. Pa dyshim, do të jetë e domosdoshme të përshtatet stili i lojës gjatë ndeshjes. Xhaka dhe Akanji duhet ta interpretojnë këtë drejtë dhe të udhëheqin bashkëlojtarët si duhet. Komunikimi, puna e madhe,fokusi dhe efikasiteti para portës. Më pas dyert do të hapen edhe më shumë për tjera momente historike në këtë turne”, është optimist Behrami.