Përfaqësuesja e Shqipërisë ka vazhduar me stërvitje për ndeshjen e fundit të fazës së grupeve në “Euro 2024”.
Shqipëria në dy ndeshjet e para të grupit B, ka arritur një disfatë dhe një barazim. U mposht nga Italia me rezultat 2:1, dhe barazoi 2:2 me Kroacinë.
Të hënën nga ora 21:00, Shqipëria takohet me Spanjën në Duesseldorf. Kuqezinjve u duhet fitorja për të shpresuar për kalimin në fazën nokaut. Nedim Bajrami i cili realizoi golin më të shpejtë në histori të Evropianit ndaj Italisë, foli në konferencë për shtyp të shtunën.
Ai u shpreh optimist për fitore dhe tregoi se të gjithë futbollistët duhet të jenë në nivel të lartë për ndeshjen ndaj Spanjës.
“Spanja është një skuadër favorite për ta fituar Evropianin, duhet me përgatitë shumë mirë ndeshjen, gjithë futbollistët duhet të jenë gati dhe nuk ka rëndësi se kush do të luajë apo kush do të futet, por duhet me dhënë maksimumin dhe duhet me ditë kualitetin tonë, ato raste që na ofrohen për gol duhet t’i shfrytëzojmë më së miri”, ka shtuar mesfushori Bajrami.
Përzgjedhësi i Spanjës Luis de la Fuente ditë më parë u shpreh se ndaj Shqipërisë do të bëjë ndryshime në formacion dhe do të paraqitet me futbollistët të cilët nuk kanë pasur paraqitje në dy ndeshjet e para.
Për Bajramin, lojtarët që do të përzgjidhen nga selektori i Spanjës, janë futbollistë me kualitet, por më e rëndësishmja për Shqipërinë do të jetë që të arrijnë një rezultat pozitiv.
“Besoj që jemi duke luajtur një Evropian me skuadra shumë të forta, dhe për mua nuk ka ekip të parë, të dytë apo të tretë, sepse gjithë lojtarët kanë kualitet dhe e dimë që duhet me përgatitë ndeshjen shumë mirë, pasi ata lojtarët që do të paraqiten duan ta bindin trajnerin që të bëjnë gola apo ndonjë asistim, por ne duhet ta bëjmë ndeshjen tonë me kualitetet tona, edhe me u paraqitë në ndeshje për të luftuar për çdo pikë dhe çdo top”, ka thënë Bajrami që luan te Sassuolo në Itali.
Të hënën prej orës 21:00 është edhe ndeshja mes Kroacisë dhe Italisë. Grupi B mbetet shumë i hapur sa i takon kalimit tutje.