Saka flet fjalë të mëdha për Xhakën

9 muaj më parë / 6 kor 2024 21:46
Bukayo Saka

Bukayo Saka e kishte bashkëlojtar Granit Xhakën tek Arsenali.  Por Saka doli triumfues ndaj Xhakës në Evropianin 2024 në Gjermani. 

Saka me Anglinë e eliminoi Zvicrën e Xhakës dhe avancoi në gjysmëfinale. 

Pas ndeshjes, ai ka folur fjalë të mëdha për kapitenin e helvetikëve. 

“Graniti ka fituar shumë trofe këtë sezon. Mendoj se ai është lojtar i shkëlqyer, njeri i shkëlqyer. Ajo që tregoi ai pas ndeshjes duke ardhur e duke na dhënë dorën e tregon të gjithën. Kam shumë respekt dhe e admiroj atë dhe Zvicrën”, ka thënë Saka.

Xhaka krenar me paraqitjen

9 muaj më parë / 6 kor 2024 21:33
Granit Xhaka

Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, ka thënë pas eliminimit nga Evropiani në Gjermani se është krenar me atë që ai dhe të tjerët kanë shfaqur përgjatë turneut. 

“E vështirë të thuhen fjalët e duhura për momentin. Nuk mund ta fajësosh ekipin. Humbjet si kjo dhembin dy herë më shumë sepse treguam gjëra të mira. Ky është futbolli, ka vetëm një fitues. Jemi krenar, të gjithë dhanë më të mirën”, ka thënë fillimisht Xhaka në intervistën e gjatë dhënë pas ndeshjes për mediumin “SRF”. 

Ai ka thënë se ekipi nuk ka qenë me fat në penallti, dhe ka përmendur sukseset e arritura të Zvicrës në vitet e fundit. 

“Kemi shfaqur pasion në këtë turne, edhe kur nuk e kishim topin në posedim. Por mund të jemi krenar. Të hënën më thanë se kisha lëndim në muskulin aduktor. Por unë doja të luaja dhe kam stërvitur shumë në këtë javë për të qenë i gatshëm. I kam shtrënguar dhëmbët sepse e kisha ndjenjën se ekipi kishte nevojë për mua. Doja t’u jepja sinjalin se isha i gatshëm për lojë edhe pse kisha dhimbje. Të premten stërvita me ekipin dhe ishte gjithçka në rregull. Sot nuk arrita që të pasoja topa të gjatë apo të gjuaja në portë. Por gjithçka shkoi mirë. Tani është koha për pushime, pak pushim, dhe të shohim para”, ka deklaruar Xhaka. 

Xhaka ka thënë se Zvicra sërish do të jetë pjesë e ngjarjeve të mëdha, pasi beson në kualitetin e ekipit.

Shaqiri: Eliminim brutal

9 muaj më parë / 6 kor 2024 21:05
Xherdan Shaqiri

Xherdan Shaqiri e ka pritur rëndë eliminimin në çerekfinale të Euro 2024.

“Mendoj se nuk ka asgjë më brutale se të eliminohesh me penallti. Kemi luftuar dhe kemi dhënë çdo gjë për të vazhduar rrugën. Jam shumë krenar me ekipin dhe mendoj se kemi bërë shumë njerëz krenarë dhe të lumtur. Ky ishte gjithnjë synimi ynë i madh. Në futboll një ekip eliminohet edhe me penallti dhe Anglia ishte më e mirë në to sot. Ishim afër, por për fat të keq anglezët kishin nerva më të qeta. Por njerëzit do ta kujtojnë që luajtëm Evropian të mirë. Mund të shihet edhe në media sociale si kanë festuar njerëzit dhe kjo ka ndikuar te ne. Kjo eufori na ka prekur dhe nuk mund të fajësohemi për asgjë. Të gjithë jemi shumë krenarë me paraqitjen dhe mund të ndërtojmë në këtë për turneun e ardhshëm”, ka thënë Shaqiri për televizionin zviceran.

Alexander-Arnoldi, shumë i lumtur me kualifikim

9 muaj më parë / 6 kor 2024 20:59
Trent Alexander-Arnold

Trent Alexander-Arnold e shënoi golin vendimtar nga penalltia për Anglinë, që avancoi në gjysmëfinale të Evropianit. 

“E jashtëzakonshme, këto janë synimet që ia kemi caktuar vetes. Kundërshtari ishte shumë i vështirë dhe kthimi në lojë pas disavantazhit tregon karakterin e ekipit, besimin, zemrën dhe shpirtin këtu. E kemi ditur se do të jetë ndeshje e barabartë. Por vetëm fitorja është e rëndësishme për ne. Ne i kemi praktikuar penalltitë. Kur selektori më tha se do të gjuaja, e dija se si do ta ekzekutoja atë. Të gjitha pesë penalltitë tona ishin të shkëlqyera”, ka thënë Alexander-Arnold.

Zgjidhet më i miri i ndeshjes Anglia – Zvicra

9 muaj më parë / 6 kor 2024 20:49
Anglia

Bukayo Saka është zgjedhur futbollisti më i mirë i ndeshjes çerekfinale mes Anglisë dhe Zvicrës. 

Saka e shënoi golin e barazimit 1:1 në minutën e 80-të, pesë minuta pasi Zvicra kaloi në epërsi.

Anglia në gjysmëfinale, Xhaka e Shaqiri largohen me kokën lart

9 muaj më parë / 6 kor 2024 20:40
Granit Xhaka

Jordan Pickford ndali penalltinë e Manuel Akanjit dhe udhëhoqi Anglinë drejt gjysmëfinales së Euro 2024.

Të shtunën mbrëma në Duesseldorf,  Anglia e mposhti në penallti Zvicrën. Ndeshja pas kohës së rregullt përfundoi 1:1, ndërsa në vazhdime nuk kishte gola të tjerë. Kështu penalltitë vendosën fituesen.

Cole Palmer i Anglisë ishte i saktë. Akanji, që ka shkëlqyer te Zvicra gjatë gjithë Evropianit, gjuajti plogësht dhe Pickford ndali gjuajtjen e tij.

Jude Bellingham dhe Fabien Schar shënuan në serinë e dytë. Bukayo Saka e Xherdan Shaqiri në të tretën, kurse Ivan Toney e Zeki Amdouni në serinë e katërt.

Përgjegjësinë për ta gjuajtur penalltinë e pestë dhe vendimtare të Anglisë e mori Trent Alexander-Arnold. Ai gjuajti shumë bukur duke mos i dhënë fare rast Yann Sommerit. Dhe kështu me fitoren 5:3 në penallti Anglia avancoi në gjysmëfinale.

Zvicra ndërkohë kthehet në shtëpi. Por lojtarët e Zvicrës mund të kthehen me kokën lartë, ndonëse nuk ia arritën qëllimit për të shkruar histori me kualifikim në gjysmëfinale.

Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, ka shkëlqyer gjatë gjithë Evropianit. Ai udhëhoqi lojën e Zvicrës edhe të shtunën ndaj Anglisë. Ndërkohë Shaqiri hyri në lojë në minutën e 109-të. Ndikimi i tij ishte i menjëhershëm. Bëri disa pasime vendimtare, e madje e goditi edhe traversën me goditje direkt nga këndi. Por gola nuk u shënuan në vazhdime dhe më pas nga pika e bardhë më të saktë ishin lojtarët e Anglisë.

Anglia e luan ndeshjen gjysmëfinale më 10 korrik në Dortmund.

Penalltitë vendosin, Anglia apo Zvicra?

9 muaj më parë / 6 kor 2024 20:26
Anglia

Penalltitë do të vendosin se cila prej Anglisë apo Zvicrës do të avancojë në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian. 

Koha e rregullt u mbyll 1:1, me golat e Breel Embolos dhe Bukayo Sakas. 

Vazhdimet nuk dhanë gola tjerë pavarësisht rasteve.
 

Transversale prej kornerit nga Shaqiri

9 muaj më parë / 6 kor 2024 20:25
Shaqiri

Super-ekzekutimi i goditjes nga këndi nga Xherdan Shaqiri përfundoi në transversale. 

Shaqiri qëlloi transversalen në minutën 117, pak minuta pasi u inkuadrua në lojë.


 

Shaqiri aktivizohet te Zvicra

9 muaj më parë / 6 kor 2024 20:16
Xherdan Shaqiri

Xherdan Shaqiri është inkuadruar te Zvicra në minutën e 109-të të ndeshjes.

Rezultati aktual i ndeshjes ndërmjet Zvicrës dhe Anglisë është 1:1. 

Për Shaqirin kjo është ndeshja e dytë që e luan për Zvicrën në “Euro 2024”. Ka të realizuar edhe një gol.

Përfundon pjesa e parë e vazhdimeve

9 muaj më parë / 6 kor 2024 20:12
zvicra

Ka përfunduar pjesa e parë e vazhdimeve ndërmjet Zvicrës dhe Anglisë. Rezultati është 1:1. Breel Embolo në minutën e 75-të shënoi për Zvicrën, kurse pesë minuta më vonë, shifrat për Anglinë i barazoi sulmuesi i Arsenalit, Bukayo Saka.

Rrezikon Anglia

9 muaj më parë / 6 kor 2024 20:01
Rice

Mesfushori Declan Rice ka rrezikuar me goditje të fortë në minutën e 95-të. Gjuajtjen e tij e ndali portieri i Zvicrës Yann Sommer.

Shaw, lojtari që i solli fat Anglisë

9 muaj më parë / 6 kor 2024 19:54
Shaw

Luke Shaw nuk ka luajtur për pesë muaj shkaku i një lëndimi të rëndë. 

Por, me t’u inkuadruar te Anglia në duelin ndaj Zvicrës, “Tre Luanët” i barazuan shifrat në 1:1. 

Në minutën e 80-të gol shënoi Bukayo Saka. 

Saka bëhet futbollisti i tretë i Arsenalit që shënon gol për Anglinë në Evropian. 

Tony Adams e bëri një gjë të tillë në vitin 1988, kurse Theo Walcott kishte realizuar në vitin 2012. 

Por, Saka është i vetmi që ka shënuar në fazën nokaut.

Edhe çerekfinalja Anglia – Zvicra do të vendoset në vazhdime ose penallti

9 muaj më parë / 6 kor 2024 19:49
Saka

Edhe çerekfinalja ndërmjet Anglisë dhe Zvicrës do të vendoset në vazhdime apo penallti. 

Koha e rregullt është mbyllur 1:1. 

Breel Embolo në minutën e 75-të shënoi për Zvicrën, kurse pesë minuta më vonë, shifrat i barazoi për Anglinë sulmuesi i Arsenalit, Bukayo Saka.

Anglia kthehet në lojë, Saka shënon supergol

9 muaj më parë / 6 kor 2024 19:36
Anglia

Bukayo Saka ka shënuar supergol në minutën e 80-të për Anglinë dhe i ka kthyer “Tre Luanët” në lojë ndaj Zvicrës. 

Saka realizoi bukur në portën e Yann Sommer, me gjuajtje të saktë.

GOOOOOOL NË DUESSELDORF

9 muaj më parë / 6 kor 2024 19:31
zvicra

Breel Embolo e ka kaluar Zvicrën në epërsi ndaj Anglisë në minutën e 75-të. 

Embolo shënoi nga afërsia. Asistues ishte Dan Ndoye.

Zvicra e bën gjuajtjen e parë në kornizën e portës

9 muaj më parë / 6 kor 2024 19:19
Embolo

Goditja e parë në drejtim të kornizës së portës nga Përfaqësuesja e Zvicrës është bërë në minutën e 51-të, ka shkruar UEFA. 

Breel Embolo tentoi, por gjuajtjen e tij e priti portieri Jordan Pickford. 

Zvicra ka rritur intensitetin e lojës dhe është në kërkim të golit. 

Rezultati në ndeshjen çerekfinale Anglia – Zvicra pas 60 minutave është 0:0.

Zvicra shfaqet rrezikshëm, Anglia shtrin dominimin

9 muaj më parë / 6 kor 2024 18:18
Zvicra

Zvicra është shfaqur e rrezikshme në minutat e para të ndeshjes ndaj Anglisë dhe ka treguar qartë se ka cilësi të madhe në skuadër. 

Por, pas 15 minutave lojë më pas, Anglia ka nisur ta shtrijë dominimin. Ka tentuar me gjuajtje të fuqishme të cilat janë bllokuar nga mbrojtja e helvetikëve.

Pse është e veçantë për Shaqirin e Xhakën ndeshja ndaj Anglisë?

9 muaj më parë / 6 kor 2024 16:58
Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri

Duelet me Anglinë janë gjithnjë të veçanta për Zvicrën. Ndoshta për faktin se ishin vetëm 27 përballje deri më tani, që është shifër dukshëm më e vogël se e ndeshjeve me Italinë (62), Gjermaninë (54) dhe Francën (39).

Këtë herë është edhe më e veçantë pasi Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka, dy lojtarët me më së shumti paraqitje te Zvicra, kanë kujtime të jashtëzakonshme nga përballjet me “Tre Luanët”.

Xhaka kishte debutuar për Zvicrën pikërisht në ndeshjen ndaj Anglisë, në barazimin 2:2 më 4 qershor 2011. Që nga ajo kohë kapiteni i Zvicrës është paraqitur 129 herë për Zvicrën.

Ndërsa Xherdan Shaqiri, si 18-vjeçar, pati realizuar golin e parë për Zvicrën pikërisht ndaj Tre Luanëve në humbjen 3:1 më 7 shtator 2010. Në 124 ndeshjet për Zvicrën ai ka realizuar 31 gola.
 

Shaqiri sërish në bankën rezervë

9 muaj më parë / 6 kor 2024 16:48
Xherdan Shaqiri

Anglia dhe Zvicra kanë publikuar formacionet zyrtare për ndeshjen çerekfinale në Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

Xherdan Shaqiri është lënë sërish jashtë ekipit të parë te Zvicra. 

Granit Xhaka do të jetë sërish lider i Zvicrës.

Formacionet zyrtare:

Anglia:

Pickford, Walker, Rice, Stones, Saka, Kane, Bellingham, Foden, Trippier, Konsa, Mainoo

Zvicra:

Sommer, Akanji, Embolo, Freuler, Xhaka, Rodriguez, Vargas, Ndoye, Aebischer, Schar, Rieder.