Grasshopperi i shpëtoi rënies nga elita e futbollit të Zvicrës falë një goli të shënuar në minutat shtesë në duelin kundër Thunit që u zhvillua të premten mbrëma.
Grasshopperi fitoi me rezultatin 2:1 në ndeshjen kthyese të plejofit dhe siguroi qëndrimin në elitën zvicerane edhe për një vit tjetër.
Grasshopperi i shpëtoi rënies pasi fitoi 3:2 me rezultatin e përgjithshëm nga të dyja ndeshjet.
Për këtë, kapiteni Amir Abrashi ka shpërthyer në festë pas ndeshjes.
Abrashi vlerësohet lider i gjithë skuadrës.
“Nuk kemi nevojë ta diskutojmë. Në të dyja ndeshjet e kemi merituar të fitojmë. Nuk është se nuk kam arritur ta durojë presionin, por e dija se çfarë na pret. Është fantastike kur lufton dhe e shmang rënien nga elita. Tani ndihem tre kilogramë më i lehtë. Kishim kaq shumë presion, sikur ta kishim thikën në fyt. Ka qenë javë e jashtëzakonshme. E merr lajmin që je në Kampionat Evropian, ndërsa je ende duke luajtur në plejof. Emocionet janë të jashtëzakonshme”, ka deklaruar Abrashi pas ndeshjes.
Abrashi, i cili ka 50 paraqitje me Shqipërinë dhe një gol të shënuar, do të luajë për “kuqezinjtë” në Evropianin e këtij viti, kundër Spanjës, Italisë dhe Kroacisë, në Grupin B.
“Prioritet ishte që të qëndrojmë në Superligë me Grasshopperin. Tani mund të luajë për Shqipërinë. Çfarë mund të kërkosh diçka tjetër në karrierë”, ka theksuar Abrashi.