Euro 2024

A mund të jetë topi prej 170 dollarësh arsye për golat spektakolarë në “Euro 2024”?

Topi i Euro 2024 - Fussballliebe

Me golat e bukur që vijnë nga të gjitha anët, “Euro 2024” ka nisur bujshëm.

Por a mund të jetë topi i teknologjisë së lartë, e që kushton 170 dollarë, arsye për këtë?

“Kur e godet, ai mbetet i goditur”, thotë kapiteni i Anglisë, Harry Kane.

Topi i Adidasit, “Fussballliebe”, që do të thotë “dashuri për futbollin”, është topi zyrtar i ndeshjeve në Kampionatin Evropian në Gjermani. Lojtarët duket që e kanë zotëruar shpejt atë. Janë shënuar shumë gola të bukur deri më tani dhe atë nga largësia.

“Është i shpejtë”, ka vazhduar Kane. “Është më i mirë për sulmuesit apo golashënuesit se për portierët. Kështu që nuk do të ankohem për këtë”.

Nuk po ankohen as tifozët, pas shumë golave spektakolarë që i kanë parë deri më tani.

U pëlqye goli i Arda Guler në fitoren 3:1 të Turqisë ndaj Gjeorgjisë. Supertalenti goditi nga rreth 20 metra distancë, ndërsa topi bëri fluturim të veçantë drejt portës. Goli i tij u rivalizua nga gjuajtja volej e lojtarit tjetër të Turqisë, Mert Muldur. Edhe ai realizoi ndaj Gjeorgjisë.

Rumuni Nicolae Stanciu shënoi një supergol nga distanca në ndeshjen ndaj Ukrainës. Ai për pak nuk shënoi direkt nga këndi. Qëlloi traversën.

Xherdan Shaqiri shënoi një eurogol për Zvicrën ndaj Skocisë, të mërkurën mbrëma. Kishte gola me goditje të furishme nga Nicolo Barella i Italisë dhe Lukas Provod i Çekisë.

“Asnjë top për këta turne nuk punohet duke pasur portierët në mendje”, thotë portieri i Danimarkës, Kasper Schmeichel.

“Është kënaqësi ta godasësh. Shkon në distancë të mirë. Sigurisht që këta topa nuk janë krijuar për kontrollim nga portierët”.

Topat zyrtarë janë kritikuar në të kaluarën. Disa lojtarë ishin ankuar se topi i njohur si Jabulani, i përdorur në Botërorin 2010, ishte i paparashikueshëm.

UEFA thotë se topi i Euro 2024 është projektuar për “saktësinë dhe qëndrueshmërinë, duke mbështetur lojën e shpejtë e të saktë”.

Topi është punuar nga poliesteri i ricikluar dhe me shumë “materiale të qëndrueshme me bazë bio” se topat e turneve të kaluar.

Se si topi ka kontribuar në golat e bukur si ai i Gulerit, nuk është e qartë. Por teknologjia e mençur brenda topit ndihmoi zyrtarët e VAR-it në anulimin e golit të Romelu Lukakut në humbjen 1:0 të Belgjikës nga Sllovakia.