Euro 2024

Selektori i Francës pranon nivelin e spanjollëve

Didier Deschamps

Didier Deschamps

Munih, 8 korrik – Spanja ka luajtur më së miri në pjesën e deritashme të “Euro 2024”. Kështu ka vlerësuar selektori i Francës, Didier Deschamps, të hënën në konferencë për shtyp.

Spanja e Franca takohen të martën prej orës 21:00 në Munih, në gjysmëfinalen e parë të Evropianit në Gjermani.

Derisa Spanja ka shkëlqyer, Franca ka pasur telashe të shumta, sidomos në mbrojtje.

“Të gjitha ekipet e Spanjës kanë pasur mesfushë të mirë. Spanjollët kanë aftësinë që ta kontrollojnë lojën. Mesfusha e Spanjës është e fortë, me Rodrin që është esencial. Është ekipi që ka pasur Evropianin më të mirë deri më tani. Spanja ka lënë përshtypjet më të mira në secilën ndeshje”, ka thënë Deschamps në konferencë për shtyp.

Derisa sulmi kishte telashe, mbrojtja e Francës ishte shumë stabile. Portieri Mike Maignan është shquar.

“Ai është lider. Ndoshta njerëzit po e shohin pak më shumë tani, por niveli i tij nuk është gjë e shfaqur brenda natës”, ka shtuar selektori francez.

Natyrisht, Deschamps ka folur edhe për Mbappen, që u zëvendësua në vazhdime ndaj Portugalisë. Kapiteni francez po luan me maskë. 

“Ai do të bëjë çdo gjë për të dhënë 110 për qind nga vetja, njëjtë si pjesa tjetër e grupit”, thotë Deschamps.

Me Deschampsin, Franca ka arritur shumë suksese. Ka luajtur thuajse në të gjitha finalet e ngjarjeve të fundit të mëdha. Tjetër finale synon në “Euro 2024”.

“Lojtarët po ndihen shumë mirë. Ia dolëm të rikuperohemi si duhet dhe kemi kthyer vëmendjen te gjysmëfinalja. Synimi ynë është të arrijmë në një tjetër finale”, thotë legjenda franceze.

Në ndeshjen ndaj Spanjës shumë do të varet nga niveli i mbrojtjes.

“Do të jetë shumë e rëndësishme, duke ditur nivelin e Spanjës në sulm. Të jesh solid në mbrojtje në një ngjarje të madhe është e rëndësishme, por jo e mjaftueshme. Do të duhet të sigurohemi që të jemi efikas kur të shkojmë përpara”.

Në konferencë foli edhe mesfushori Adrien Rabiot.

“Shkojmë në gjysmëfinale të një ngjarjeje me rëndësi pasi kemi luajtur me përfaqësuese shumë të mira. Jemi të fokusuar që të fitojmë si ekip”, ka thënë Rabiot.