Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) është ndarë e kënaqur me vendimin e gjyqtarit Anthony Taylor që nuk dha penallti për Gjermaninë gjatë çerekfinales së Evropianit 2024, në duelin ndaj Spanjës.
Spanja të premten mbrëma fitoi me rezultatin 2:1 ndaj Gjermanisë pas vazhdimeve dhe avancoi në gjysmëfinale të turneut.
Në pjesën e dytë të vazhdimeve, kur rezultati ishte 1:1, Jamal Musiala gjuajti drejt portës dhe e qëlloi Marc Cucurellan në dorë. Mbrojtësi spanjoll ishte brenda në zonë.
Taylor tha se loja duhet të vazhdojë dhe se gjithçka ishte e rregullt, ndërsa në fundin e gjithë ndeshjes, Mikel Merino e realizoi me kokë golin e fitores, pasi u shkëput lartë në zonë.
Gjyqtari i Premier Leagues, Taylor, u kritikua shumë që refuzoi të jap penallti. Ai mori kritika edhe nga selektori i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, por edhe nga mediat gjermane. Ish-mesfushori i Gjermanisë, MIchael Ballack, që punon si analist në “Magenta TV”, e vlerësoi këtë moment si “vendim të gabuar”.
“Këtu janë të qarta të gjitha kriteret për t’u sinjalizuar penallti. Dora është e zgjatur, që është avantazh i qartë, dhe ka ende ekspertë që e shohin ndryshe”, ka deklaruar Ballack.
Gjyqtari Taylor nuk e ka komentuar këtë moment. Gazeta gjermane “Bild” ka shkruar të shtunën se Taylor është larguar nga stadiumi i Stuttgartit 80 minuta pasi përfundoi ndeshja dhe e ka akuzuar atë se i është shmangur konfliktit.
Pas ndeshjes, Nagelsmann shprehu zhgënjimin për këtë vendim.
“Penalltia që fituam ndaj Danimarkës ishte shumë më e lehtë”, i ka thënë Nagelsmann transmetuesit “ARD”. “Nuk mund ta kuptoj pse kjo të mos merret në konsideratë”, ka shtuar ndër të tjera Nagelsmann.
Por, UEFA beson se vendimi ishte i duhuri, pasi gjyqtari u ishte përmbajtur udhëzimeve që u janë dhënë para nisjes së turneut.
Në konferencën e 12 qershorit të mbajtur nga Roberto Rosetti, udhëheqësi i gjyqtarëve të UEFA-s, u dhanë disa raste se cilat mund të jenë penallti e cilat jo. Në një rast krejtësisht të ngjashëm me atë Musiala – Cucurella, u shfaq një mbrojtës i cili preku topin me dorë. Por, dora ishte afër trupit të tij, në pozitën thuajse krejtësisht vertikale. Rosetti ka thënë se në raste të tilla nuk sinjalizohet penallti.
Përderisa rasti i Joachim Andersenit të Danimarkës kundër Gjermanisë në një të tetën e finales dukej penallti shumë e lehtë dhe e kritikuar shumë nga njohës të futbollit, sipas udhëzimeve të UEFA-s, ishte e drejtë. Pozita e dorës së mbrojtësit të Crystal Palacet ishte e ngritur lartë dhe krijonte avantazh. Taylor dhe Stuart Attwell, që ishte me detyrë në VAR në ndeshjen në Stuttgart të premten mbrëma, janë kritikuar për mosrishikim të situatës në ekran. Megjithatë, UEFA ka mbetur e kënaqur me vlerësimin që ata patën për rastin e Musialas me Cucurellan.