Ish-përzgjedhësi i Shqipërisë, italiani Gianni De Biasi ka thënë se Italia nuk duhet të nënvlerësojë ekipin kuqezi. Ai thotë se këtë e di edhe selektori i Italisë, Luciano Spalletti.
“Shqipëria fitoi 3:1 ndaj Azerbajxhanit, por ishte ndeshje e vështirë. Më pëlqeu Shqipëria për mënyrën se dilnin me pasime në sulm”, ka thënë De Biasi në një intervistë për “La Gazzeta dello Sport” të hënën.
Ai ka thënë se Kristjan Asllani dhe Ylber Ramadani dinë të rifillojnë aksionet, ndërsa Armando Broja të shënoi gola.
“Ne mesfushë Asllani dhe Ramadani e njohin mirë njëri-tjetrin dhe dinë të nisin aksionet. Qendërsulmuesi Broja është fizik dhe mund të shfrytëzojë çdo mundësi të vogël. Asani dhe Seferi garantojnë imagjinatën nga jashtë. Dhe kushtoni vëmendje shikuesve të tyre. Të shtunën në Dortmund do të ketë mijëra shqiptarë entuziastë”, është shprehur De Biasi, i cili udhëhoqi Shqipërinë në “Euro 2016”.
Shqipëria nën drejtimin e tij shënoi një fitore, por nuk siguroi kalimin në fazën nokaut. Pati fituar 1:0 ndaj Rumanisë, ndërsa humbi nga Franca 2:0 dhe Zvicra 1:0.
De Biasi thotë se Italia është favorite, por nuk duhet nënvlerësuar Shqipëria.
“Nuk e di se çfarë taktike do të përgatisë Sylvinho, nëse do të vendosë të na sulmojë apo të na presë. Në përgjithësi, Shqipëria e tij luan në mënyrë proaktive. Sylvinho kishte mësues të shkëlqyer, për shembull ai punoi me Robert Mancinin. Shqipëria është një kundërshtare për të mos u nënvlerësuar. Spalleti e di këtë mirë. Ne jemi favoritë”, ka thënë De Biasi.
Ai së fundi, nga viti 2020 deri në vitin e kaluar punoi si përzgjedhësi Azerbajxhanit. Në të kaluarën ka punuar te disa skuadra në Itali dhe Spanjë.