Efikasiteti në ndeshjet e fundit të kampionatit të Rusisë i ka kryer shumë punë sulmuesit Mirlind Daku. Ai është përfshirë në ekipin e zgjeruar të Shqipërisë për “Euro 2024”.
Selektori i Shqipërisë, Sylvinho, të hënën pasdite publikoi listën me emrat e 27 futbollistëve. Vetëm njëri prej tyre nuk do të jetë në Gjermani. Janë katër portierë në listë dhe ka gjasa që njëri prej tyre të mbetet jashtë. Lista finale do të publikohet më 7 qershor, një javë para Evropianit në Gjermani.
Ka pasur shumë dilema për Dakun, sidomos pasi ai mbeti jashtë miqësoreve të marsit. Por ai realizoi pesë gola në gjashtë ndeshjet e fundit të Rubin Kazanit dhe kështu zuri vend në listën e Sylvinhos. Prej sulmuesve janë ftuar edhe Armando Broja, Rey Manaj e Taulant Seferi, si dhe lojtarët e krahut Jasir Asani e Arbër Hoxha. Broja ka luajtur shumë në Premier League, por cilësia e tij e ka bindur Sylvinhon.
Ndërkohë reagimet më të mëdha ishin për mbetjen jashtë ekipit të Myrto Uzunit e Sokol Cikalleshit. Uzuni e Cikalleshi për kohë të gjatë janë prej lojtarëve kryesorë të Shqipërisë. Por Sylvinho i ka lënë jashtë Evropianit.
Keidi Bare është tjetër emër i rëndësishëm që ka mbetur jashtë. Nuk është përfshirë as Arbnor Muja, ndërsa kjo edhe pritej pas rënies së madhe të tij në karrierë. Nga Antwerpi belg, Muja në janar kaloi te Samsunspori në Turqi. Në elitën turke luajti pak dhe kështu mbeti jashtë Evropianit.
Sylvinho ka kthyer Amir Abrashin për Evropian. Abrashi ka kohë që nuk ka luajtur për kuqezinjtë, por përvoja e tij i duhet ekipit kombëtar, sipas selektorit. Emër i ri është Medon Berisha, kapiteni i deritashëm i Shqipërisë U21. Berisha në të kaluarën ka luajtur edhe për Kosovën U21.
Të tjerët në listë janë emra të pritur.
Në konferencën e mbajtur për shtyp, gjatë së cilës u prezantua lista, tekniku brazilian ka përsëritur disa herë se përzgjedhja e 27 lojtarëve ishte e vështirë. Ai ka folur për lojtarët e ftuar e jo për ata që kanë mbetur jashtë. Ka arsyetuar zgjedhjet e bëra.
“Kemi bërë zgjedhje për të përballuar një grup shumë të vështirë. Finalet e Evropianit janë specifikë krejt tjetër. Grupi i lojtarëve është 100 për qind i qetë dhe i gatshëm për këtë rrugëtim”, ka thënë Sylvinho.
Ai ka përmendur faktin që Abrashi është mesfushori i vetëm në këtë ekip që ka luajtur në” Euro 2016”. Ka theksuar se Abrashi me karakteristikat e tij prezanton shpirtin e Kombëtares. Për Medon Berishë, Sylvinho ka theksuar se është gati për Kombëtaren A.
Selektori i Shqipërisë ka thënë se janë edhe disa lojtarë që e meritojnë të jenë në Kombëtare, por që ftesa për të gjithë ishte e pamundur. I pyetur për Brojën, Sylvinho ka thënë se nuk është kriter madhor për të fakti se a luan një lojtar apo nuk luan shumë për ekipin e tij. Ka thënë se Broja është i dëshmuar në Kombëtare.
“Armando Broja është lojtar i shpejtë, i fortë në situatat një me një me mbrojtësit. Është rikuperuar dhe është në gjendje optimale. Edhe Rey Manaj është në formë të mirë. Janë dy lojtarë që na japin shumë në fushën e lojës”, ka thënë Sylvinho.
Ai ka treguar se për listën ka punuar plot tre muaj. Por lista finale ka thënë se është formuluar vetëm në tri ditët e fundit.
“Ne duhet të shkojmë në Evropian për të luftuar për çdo pikë. Futbolli është i bukur dhe mund të ndodhë çdo gjë. Ne duam të shkojmë ta shijojmë këtë eksperiencë me përgjegjësinë e duhur sepse po luajmë në Evropian. Po luajmë ndoshta ndaj lojtarëve dhe skuadrave më të mira në botë. Ne do të luftojmë për çdo pikë dhe ta shijojmë këtë Evropian”, ka thënë Sylvinho.
Më 3 e 7 qershor Shqipëria luan miqësore në Hungari ndaj Lihtenshtajnit dhe Azerbajxhanit. Në “Gjermania 2024” e fillon garimin ndaj Italisë më 15 qershor. Më 19 qershor kuqezinjtë e kanë ndeshjen me Kroacinë, ndërsa më 24 qershor ndaj Spanjës.
Kombëtarja shqiptare është në grupin më të fortë të mundshëm dhe vlerësohet autsajdere. Për Shqipërinë është paraqitja e dytë në Evropian. Debutoi në “Euro 2016”.
Futbollistët e ftuar:
Portierë: Etrit Berisha, Elhan Kastrati, Simon Simoni, Thomas Strakosha
Mbrojtës: Naser Aliji, Arlind Ajeti, Ivan Balliu, Berat Gjimshiti, Elseid Hysaj, Ardian Ismajli, Marash Kumbulla, Enea Mihaj, Mario Mitaj
Mesfushorë: Amir Abrashi, Kristjan Asllani, Nedim Bajrami, Medon Berisha, Klaus Gjasula, Qazim Laçi, Ernest Muçi, Ylber Ramadani,
Sulmues: Jasir Asani, Armando Broja, Mirlind Daku, Arbër Hoxha, Rey Manaj, Taulant Seferi
