Euro 2020

Gjashtë çerekfinalet e mëdha të Evropianeve

Pas dueleve interesante të 1/8 së finales në “Euro 2020”, ndeshjet çerekfinale të këtij turneu pritet të jenë edhe më të zjarrta, bazuar në disa prej çifteve që do të takohen. Faza e ndeshjeve çerekfinale të këtij Evropiani do të nisë të premten dhe do të përfundojë të shtunën mbrëma, kur edhe do të mësohen gjysmëfinalistët. Të premten do të përballen Zvicra me Spanjën (18:00) dhe Belgjika me Italinë (21:00), ndërsa të shtunën Çekia me Danimarkën (18:00) dhe Ukraina me Anglinë (21:00). Në fakt, ndeshjet çerekfinale gjithmonë kanë dhuruar spektaktël në Kampionatin Evropian. Më poshtë po paraqesim ndeshjet e shkëlqyera apo të mëdha çerekfinale, fazë kjo që u prezantua në vitin 1996, kur edhe u mor vendim për zgjerimin e Evropianit në 16 skuadra.

“Euro 1996”, Angli – Spanjë

Tensioni brenda stadiumit “Wembley” ishte i dukshëm ndërsa Anglia, e motivuar nga një fitore e shkëlqyeshme 4:1 ndaj Holandës në ndeshjen e saj fundit në grup, u mundua shumë kundër një Spanje premtuese. Spanjës dy herë iu mohua nga një gol për shkak të pozitës jashtë loje, përpara se ta thyente mbrojtjen e Anglisë në fund të pjesës së parë; Javier Manjarin doli i vetëm përballë portierit David Seaman, i cili e bllokoi gjuajtjen e tij. Koha e rregullt përfundoi pa gola dhe kërkoheshin vazhdimet, me golin e artë në lojë për herë të parë. Megjithatë, as Spanja e as Anglia nuk shënuan as në vazhdime përkundër rasteve që i patën, duke bërë që fituesi të përcaktohet nëpërmjet gjuajtjes së penalltive. Në fund Anglia fitoi me rezultatin 4:2 në ndeshjen e luajtur më 22 qershor të vitit 1996, ndërsa festimi i çmendur i anglezit Stuart Pearce është ai që mbahet më së miri në mend pas përfundimit të kësaj ndeshjeje dramatike.

“Euro 2000”, Spanja – Franca

Franca ishte ekipi dominues i vitit 2000 dhe fituesja e atij turneu, por Spanja i mundoi francezët aq shumë, saqë gati i eliminoi në çerekfinalen e luajtur në Brugge të Belgjikës. Zinedine Zidane pas vetëm gjysmë ore lojë e zhbllokoi rezultatin dhe e kaloi Francën në epërsi. Mirëpo goli i Gaizka Mendietas nga penalltia barazoi shifrat pak minuta më vonë. Franca sërish e ktheu epërsinë pa përfunduar pjesa e parë, me golin fantastik të Youri Djorkaeffit pas asistimit të Patrick Vieiras. Spanja shpërdoroi një rast ideal për të barazuar rezultatin dhe për ta dërguar ndeshjen në vazhdime, por Raul Gonzalez dështoi nga penalltia, duke e dërguar topin mbi portë. Në fund Spanja e fitoi ndeshjen 2:1 për t’u shpallur në fund edhe kampione e Evropës.

“Euro 2004”, Portugalia – Anglia

Një ndeshje që kishte gjithçka. Michael Owen e dërgoi Anglinë në epërsi në Lisbonë me golin e shënuar, duke u bërë lojtari i parë i Anglisë që shënoi në katër turne të mëdhenj rresht. Mirëpo Anglia mbeti pa 18-vjeçarin Wayne Rooney që e lëshoi fushën për shkak të lëndimit dhe Portugalia barazoi rezultatin me anë të Helder Postigas. Sol Campbell lëshoi një rast në minutën e 90-të dhe ndeshja shkoi në vazhdime me rezultatin 1:1. Në minutën e 110-të Rui Costa shënoi për Portugalinë, por pesë minuta më vonë, Frank Lampard realizoi për 2:2 dhe siguroi penalltitë për Anglinë.

Në një goditje tipike të tensionuar David Beckham e humbi penalltinë e parë, ndërsa portieri portugez Ricardo priti gjuajtjen e fundit të Darius Vassellit përpara se të shënonte vetë dhe siguronte fitoren për Portugalinë 6:5.

“Euro 2004”, Franca – Greqia

Kjo çerekfinale është përfshirë më shumë për shkak të shokut të krijuar sesa për diçka tjetër. Askush nuk mund të parashikonte se Greqia jo vetëm që do mundte Francën për herë të parë ndonjëherë, por do të vazhdonte ta fitonte Kampionatin Evropian. Greqia mendoi se kaloi në epërsi Lisbonën kur goditja e lirë e Giorgos Karagounis e gjeti në shtyllën e dytë Kostas Katsouranisin, por portieri francez Fabien Barthez e largoi topin ta kalonte vijën fatale. Sidoqoftë, pavarësisht tentimeve dhe dominimit të Francës, goli i minutës së 65-të nga Angelos Charisteas i dha fund kësaj çështjeje. Greqia fitoi me rezultatin 1:0 dhe pjesa tjetër ishte histori.

“Euro 2008”, Kroacia – Turqia

Prej ku të fillohet? Turqia e rezervoi gjysmëfinalen e saj të parë në Evropian, pasi çerekfinalja e luajtur në Vjenë pas gjuajtjes së penalltive, me gjithë që dy ekipet shënuan nga një gol në fund të vazhdimit të dytë. Koha e rregullt e duelit mes Kroacisë dhe Turqisë përfundoi pa gola. Ishte sulmuesi Ivan Klasniq ai që kaloi në epërsi Kroacinë pas harkimit të Luka Modriqit kur kishte mbetur edhe një minutë deri në fund të vazhdimit të dytë. Megjithatë, në sekondat e fundit Semih Shenturk shënoi për ta dërguar ndeshjen në penallti. Në fund Turqia fitoi 3:1 në penallti. Portieri Rustu Reçber priti gjuajtjen e Mladen Petriqit, pasi më herët kishin dështuar të shënonin nga pika e bardhë edhe Modriqi e Ivan Rakitiqi.

“Euro 2016”, Uellsi – Belgjika

Duke pasur parasysh se Uellsi po paraqitej në turneun e dytë të madh, 58 vjet pas të parit, pak menduan se uellsianët mund ta barazonin rekordin personal të vitit 1958 kur arritën deri në çerekfinale të Kampionatit Botëror. Mirëpo këtë herë Uellsi shkoi edhe më larg me gjithë që në çerekfinale të “Euro 2016” kishte përballë Belgjikën, ekip të mbushur me yje. Belgjika e konfirmoi rolin e favorites, duke kaluar në epërsi pas vetëm 13-të minutave lojë, me anë të mesfushorit Radja Nainggolan. Por, në minutën e 30-të në Lille, Ashley Williams shënoi me kokë pas harkimit të Aaron Ramseyt nga këndi. Pas dhjetë minutave në pjesën e dytë, një lojtar që ishte ftuar në Evropian me gjithë që nuk kishte klub, Hal Robson-Kanu e kaloi Uellsin në epërsi. Rezultatin përfundimtar 3:1 e vulosi rezervisti Sam Vokes, pesë minuta para fundit të takimit. “Të gjithë ëndërrojnë për natë si kjo”, tha atëbotë përzgjedhësi i Uellsit, Chris Coleman. Uellsi u eliminua në gjysmëfinale nga Portugalia që në fund u shpall kampione, por uellsianët tashmë kishin shkruar historinë me futjen në mesin e katër ekipeve më të mira të Evropianit.