Me Kampionatin Evropian që nis javën e ardhshme (11 qershor), Skocia fillon kampanjën si autsajdere në një grup shumë të vështirë të cilin e përbëjnë edhe Anglia, Çekia e Kroacia.
Ndeshjen e parë në “Euro 2020”, Skocia do ta luajë më 14 qershor kundër Përfaqësueses së Çekisë, në qytetin e Glasgowit. Skocezët duket se kanë një skuadër të mirë që është komponuar prej lojtarëve të rinj, të etur për të luftuar kundër përfaqësueseve më të forta në Evropian. Përfundimisht me një sistem të mirë të lojës, Skocia mund të tronditë shumë përfaqësuese të mëdha në “Euro 2020”, gjë që edhe e ka synim. Ekipi i Skocisë përbëhet prej disa lojtarëve më të dalluar në Premier League si Andy Robertson, Kieran Tierney, Scott McTominay e John McGinn, prej të cilëve pritet shumë në Evropian.
Përzgjedhësi dhe taktika
Steve Clarke është në krye të Përfaqësueses së Skocisë. Ai u emërua përzgjedhës në muajin maj të vitit 2019 dhe e ndihmoi Skocinë të kualifikohet në “Euro 2020”, që është turneu i madh i parë për skocezët pas një pritjeje prej 23 vjetësh. Trajneri Clarke ka një qasje shumë pragmatike në lojë. Ai nuk e ka problem që ekipi i tij të rri “duarkryq” dhe të lejojë kundërshtarin që është më cilësor ta kontrollojë ndeshjen. Ndërsa kur përballë ka kundërshtar më të dobët, Clarke insiston që ekipi i tij ta kontrollojë ndeshjen.
Clarke nuk është i njohur për sistemin me tre mbrojtës, por është i detyruar t’i përshtatet kësaj vendosjeje për shkak të lojtarëve që ka në dispozicion. Ai zakonisht zgjedh sistemin e lojës 3-5-2, por nuk e ka problem ta përdorë edhe sistemin 3-4-3.
Me këtë sistem dhe me një qasje të vazhdueshme pragmatike, skocezët thjesht mund të kalojnë grupin që konsiderohet “grup i vdekjes”. Clarke është i gatshëm ta shohë ekipin e tij të bëjë një paraqitje të mirë në Evropian, pas pritjes së gjatë për t’u kualifikuar.
Ylli i ekipit
Nuk është vështirë të dihet se kush është lojtari kryesor te Skocia. Kapiteni Andy Robertson e mban këtë epitet me plot meritë. I lindur në qytetin e Glasgowit, mbrojtësi i krahut të majtë, Robertson, ka impresionuar vitet e fundit me fanellën e Liverpoolit. Kjo ka bërë që atij t’i besohet shiriti i kapitenit te Skocia në vitin 2018. Prej asaj kohe Robertson pa pikë dyshimi është futbollisti më i mirë i Skocisë. Pavarësisht se nuk ka pasur sezonin më mbresëlënës në Premier League, Robertson tashmë i ka dëshmuar cilësitë që posedon. Kështu që në “Euro 2020” ai mund të jetë lojtari që do ta ndryshojë lojën për Skocinë. Në edicionin e fundit në Premier League, Robertson ka bërë shtatë asistime në të gjitha garat me skuadrën e Liverpoolit.
Lojtari i së ardhmes
Billy Gilmour 19-vjeçar, ndryshe njihet si “Iniesta skocez” dhe ai me hapa të sigurt po shkon rrugës së mesfushorit spanjoll. I blerë nga Chelsea prej ekipit të të rinjve të Glasgow Rangersit, Gilmour është njëri prej lojtarëve me të ardhme të ndritur te skuadra londineze. Në dy ndeshje të edicionit të shkuar në Premier League, Gilmour tregoi cilësitë e tij dhe u zgjodh futbollist i ndeshjes, kundër Evertonit dhe Liverpoolit. Ai tashmë ka nxjerrë në pah cilësitë që posedon dhe është një forcë shtesë në mesfushën e Skocisë.
Pavarësisht se nuk ka pasur hapësirë të madhe nën urdhrat e Thomas Tuchelit, Gilmour ka qenë ndër më të dalluarit te Përfaqësuesja U21 e Skocisë. Ai ka aftësinë për ta ndihmuar ekipin në momentet vendimtare, me depërtime brenda zonës dhe shënimin e golave. Në fakt, Gilmour ende nuk e ka regjistruar asnjë ndeshje me Përfaqësuesen A të Skocisë dhe pritet të debutojë zyrtarisht gjatë ndeshjeve të Kampionatit Evropian.
Bilanci
“Euro 2020” është turneu i parë i madh i Skocisë në 23 vjet. Në turnetë që ka marrë pjesë, Skocia nuk është se ka treguar ndonjë rezultat të mirë. Përfaqësuesja e Skocisë deri më tani ka marrë pjesë dy herë në Kampionatin Evropian. Në vitin 1992 të mbajtur në Suedi dhe në vitin 1996 në Angli. “Euro 2020” është turneu i tretë evropian për Skocinë. Në dy pjesëmarrjet në Evropian, Skocia ka zhvilluar në total gjashtë ndeshje, ku ka shënuar dy fitore, një barazim dhe tri humbje. Shënoi gjashtë gola kurse pranoi pesë. Këtë herë Skocia do të përpiqet të ketë një bilanc më të mirë të shënimit të golave.
Gjasat
Gjasat janë pothuajse minimale që Skocia të triumfojë në “Euro 2020” dhe këtë e ka parasysh edhe përzgjedhësi Clarke. Përfundimisht Skocia nuk do të futet vetëm si autsajdere e grupit të saj, por edhe e turneut. Duke pasur këtë parasysh, Skocia do të mundohet të bëjë më të mirën, për të qenë një befasi e këndshme e Kampionatit Evropian, pasi dy prej tri ndeshjeve të grupit i luan në Glasgow. Skocezët mund të mos përfundojnë duke fituar Evropianin, por me një skuadër të re dhe të ndritshme për të ardhmen, do të ketë ndikim të madh në këtë turne në të ardhmen. Kampionati Evropian gjithashtu mund të shërbeje si një përgatitje e mirë e Skocisë për eliminatoret e Kampionatit Botëror “Katari 2022”. Në kuadër të kualifikimeve për Botërorin e vitit të ardhshëm, Skocia ka zhvilluar tri ndeshje dhe ka tubuar pesë pikë. Zë vendin e dytë në grup, të cilit i prinë Përfaqësuesja e Danimarkës me tri fitore në po aq ndeshje të luajtura.
Lista e Skocisë për Evropian
Portierë: Craig Gordon, David Marshall, Jon McLaughlin
Mbrojtës: Liam Cooper, Declan Gallagher, Grant Hanley, Jack Hendry, Scott McKenna, Stephen O'Donnell, Nathan Patterson, Andy Robertson, Greg Taylor, Kieran Tierney
Mesfushorë: Stuart Armstrong, Ryan Christie, John Fleck, Billy Gilmour, John McGinn, Callum McGregor, Scott McTominay, David Turnbull
Sulmues: Che Adams, Lyndon Dykes, James Forrest, Ryan Fraser, Kevin Nisbet
Ndeshjet e Skocisë në “Euro 2020”
14 qershor: Skocia – Çekia (15:00, Glasgow)
18 qershor: Anglia – Skocia (21:00, Londër)
22 qershor: Kroacia – Skocia (21:00, Glasgow)