Euro 2020

Danimarka e inspiruar për një tjetër sukses në “Euro 2020”

Nga dëshpërimi duke parë një shok skuadre të pësojë sulm kardiak e deri në çerekfinale të Kampionatit Evropian.

Rrugëtimi i jashtëzakonshëm i Danimarkës në Euro 2020 po vazhdon. Danimarka do të përballet me Çekinë, të shtunën prej orës 18:00 në Baku, saktësisht tri javë pasi mesfushori Christian Eriksen kolapsoi në fushë në ndeshjen hapëse të ekipit.

Ndërsa Eriksen po rikuperohet – fillimisht në spital dhe tani në shtëpi – Danimarka është përmirësuar vazhdimisht në “Euro 2020”. Një fitore 4:1 ndaj Rusisë e nxori Danimarkën nga faza e grupeve pas dy humbjeve. Ndërsa triumfi 4:0 ndaj Uellsit në 1/8 e finales ka bërë që danezët ta ëndërrojnë përsëritjen e suksesit të vitit 1992, kur u shpallën kampionë të Evropës.

Danimarka atëbotë nuk u kualifikua në Evropian, por në momentet e fundit e zëvendësoi Jugosllavinë që u diskualifikua pas shpërthimit të luftës. Nëse danezët arrijnë në gjysmëfinale, atëherë kjo do të jetë hera e parë pas 29 vjetësh.

Portieri aktual i Danimarkës, Kasper Schmeichel, babai i të cilit, Peteri, ishte numri një në portë në vitin 1992, thotë se nuk e ka ndërmend të largohet nga “Euro 2020” kaq shpejt.

“Ka shumë faktorë motivues për ne pas gjithë asaj që e kemi kaluar si ekip në Evropian. Ne jemi rritur shumë nga ndeshja në ndeshje dhe nuk duam të zhgënjejmë në çerekfinale, pasi synimi është ta bëjmë vendin tonë krenar. Nuk po mendojmë të largohemi kaq shpejt nga Evropiani”, është shprehur Schmeichel.

Herën e fundit kur Danimarka luajti në çerekfinale të një turneu të madh ishte në “Euro 2004” dhe ishte eliminuar pikërisht nga Çekia pas humbjes 3:0 me dy gola të Milan Baroshit dhe një të Pavel Nedvedit. Përzgjedhësi i Danimarkës, Kasper Hjulmand, e sheh përballje të vështirë çerekfinalen ndaj Çekisë, por ka insistuar se ekipi i tij do të luajë pa frikë.

“Mund të them se gjëja më e rëndësishme në lojën tonë është të luajmë pa u frikësuar. Kështu që pa frikë do të luajmë edhe ndaj Çekisë, pasi vetëm kështu mund të luajmë mirë. Do të mundohemi të aplikojmë një lojë sulmuese dhe të japim më të mirën për përkrahjen e madhe dhe pasionin që e kemi pasur nga populli danez. Jemi të motivuar, pasi pa motivim nuk mund të bësh asgjë. Këtë po e bëjmë për gjithë Danimarkën dhe kam dy ëndrra: Të fitojmë diçka dhe të inspirojmë”.

Çekia ka treguar paraqitje të mira në “Euro 2020”. Në 1/8 e finales e eliminoi Holandën në Budapest. Herën e fundit që Çekia arriti në çerekfinale të një turne të madh ishte në vitin 2004, kur u eliminua në gjysmëfinale nga Greqia.

Gjysmëfinalen çekët po e synojnë këtë herë, por përzgjedhësi Jaroslav Shilhavy tha të premten se shpirti ekipor i Danimarkës do të jetë “armiku” kryesor i ekipit të tij. Te Çekia po mbështeten në sulmuesin Patrick Schick për ta kaluar Danimarkën. Schick ka shënuar katër gola në katër paraqitje, një më pak se portugezi Cristiano Ronaldo, që është shënuesi më i mirë i Evropianit deri më tani.

“Ekipi danez dhe shpirti i ekipit”, tha Shilhavy kur u pyet se kush mendonte se ishte lojtari më i mirë i Danimarkës. “Kjo është një fuqi e jashtëzakonshme. Danezët nuk kanë super-yje, por ata formojnë një ekip të shkëlqyeshëm së bashku dhe stili i tyre është i ngjashëm me stilin tonë”.

Çekisë në këtë ndeshje do t’i kthehet kapiteni Vladimir Darida, i cili mungoi ndaj Holandës për shkak të lëndimit. Te Danimarka pritet të jetë i gatshëm për lojë sulmuesi Yusuff Poulsen, që nuk luajti me Uellsin në 1/8 e finales dhe u zëvendësua nga Kasper Dolberg, që realizoi dy gola në fitoren 4:0.

“Danimarka mund të mos duket përfaqësuese e fortë sikur Holanda, Franca apo Italia, por mendoj se është një kundërshtare tejet cilësore dhe shumë e papërshtatshme. Ne vetëm duam të jemi të suksesshëm, por nuk do të jetë aspak e lehtë. Kemi lojë të ngjashme, por duhet të tregohemi më të mirë dhe më të durueshëm. Ndoshta nuk kemi yje në ekip, por kemi lojtarë që luajnë nëpër liga të forta”, u shpreh Darida.