Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, te mërkurën ka shqyrtuar projektligjin për ratifikimin e Kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për Projektin banim social adekuat.
Kritika për këtë projekt patën deputetë të pushtetit e opozitës, të cilët po ashtu kritikuan vonesat në realizimin e tij dhe pas ankesave me propozim të kryetarit të Komisionit, deputetit Armend Muja, është vendosur që të ketë edhe një diskutim të kësaj pike të rendit të ditës dhe të merren parasysh kërkesat e të gjithë anëtarëve të komisionit.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se përveç studimit të fizibilitetit, për këtë projekt nuk ka asnjë studim tjetër të detajuar.
“Kreditë po merren pa përgatitjet e nevojshme e pastaj po shtyhet afati i ekzekutimit të tyre. Marrëveshja është miratuar në Këshillin Administrativ dhe ju e keni nënshkruar në janar. Përgatitjet për këtë projekt janë zero. Është vetëm një studim i fizibilitetit dhe përtej saj nuk ka asnjë studim të realizuar se sa është numri i ndërtesave sociale, sa është kostoja, si do të adresohet kjo çështje”, wshtw shprehur ai.
Zëvendësministri i Planifikimit Hapësinor, Jeton Raka, ka deklaruar se përmes grantit në vlerë 2 milionë euro, do bëhen renovime të banesave dhe ndërtime të shtëpive për qytetarët, varësisht nga kërkesat e komunave.
“Sigurimin e banimit për qytetarët në nevojë, objektivi kryesor është zhvillimi social. Kemi dy komponentë kyçe, banimi adekuat social, renovime, banesa ekzistuese, shndërrimin e banesave sociale të reja. Komponenta e dytë janë shtëpitë individuale, ndërtimi i tyre për familjet më të ardhura të ulëta. Projekti do zbatohet me komuna gjithçka do jetë transparente, bëhet identifikomi i lokacioneve, pas thirrjes publike komunat do bëjnë analizën e projektit, një grant prej 2 milionë euro që e kemi fituar”, ka deklaruar Raka.
Informacione shtesë kërkoi edhe deputeti i pushtetit, Eman Rrahmani, i cili ka deklaruar se nuk mund ta mbështesë këtë projekt nëse nuk dihet destinimi i saktë i ndërtesave e informacione tjera të rëndësishme.
“Nuk ka destinim të saktë. Dua te di sa ndërtesa do të ndërtohen në Deçan, sa në Prishtinë. A do të jenë banesat kolektive apo të shpërndara”, ka shtuar ai.
Zëvendësministri Raka, ka deklaruar se komunat e kanë plotësuar një formular dhe kanë treguar pak a shumë sa janë të gatshëm për këtë projekt.
Pas kritikave që i mori nga anëtarët e këtij Komisioni, Reka ka theksuar se nuk duhet të bëhet politikë me kategoritë e ndjeshme,
“Projekti do të zbatohet në komuna. Gjithçka do të jetë transparente, bëhet identifikimi i lokacioneve dhe pas thirrjes publike komunat do të bëjnë analizën e projektit. Sipas Ligjit, komunat kanë përgjegjësi të hartojnë raporte për programet tre vjeçare për banimin social. Janë diku 17 komuna që i kanë këto programe. 7 prej tyre iu ka skaduar programi, tri komuna i kanë vetëm si draft, ndërsa 10 komuna nuk kanë hartuar fare program”, ka shtuar ai.
Deputetja Duda Balje, ka thënë se ka shumë kërkesa, nga qytetarët sepse secila familje dallon nga tjetra sa i përket nevojave të saj. Balje ka deklaruar se shumë nga qytetarët ka mundësi të mos kenë toka të tyre dhe se si do ndërtohet shtëpia e tyre kur ka mungesë të pronës./EO