Ekonomi

Punëtorët e Telekomit në protestë, paralajmërojnë edhe grevë

Protestojnë punëtorët e Telekomit, pa paga pas bllokimit të llogarive

Foto: Driton Paçarada

Punëtorë të Telekomit të Kosovës kanë protestuar të martën duke kërkuar zhbllokim të llogarive në mënyrë që të mund t’i marrin pagat e muajit mars. Ata kanë kërkuar nga Gjykata Komerciale që sa më parë ta shfuqizojë vendimin e shkallës së parë, me të cilin ka mbetur në fuqi urdhri përmbarimor për bllokim të llogarive dhe detyrimi që Telekomi t’i paguajë dëmshpërblim prej 5.7 milionë eurosh kompanisë Z-Mobile. Nëse pagat nuk dalin, punëtorët kanë paralajmëruar edhe grevë

Në kohën e pauzës të martën, punëtorët e Telekomit u mblodhën para objektit të ndërmarrjes në një protestë ku kërkuan zhbllokimin e llogarive të ndërmarrjes. 

Punonjësit nuk i kanë marrë pagat e muajit mars për shkak të vendimit të Gjykatës Komerciale, i cili përveç bllokimit të llogarive e obligon Telekomin t’ia paguajë edhe 5.7 milionë euro dëmshpërblim “Dardafonit”, i njohur si “Z-Mobile”. 

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj, ka kërkuar që shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale, pranë së cilës është parashtruar ankesë, të dalë sa më parë me një vendim. 

“Çdo vendim i vonuar për Telekomin, çdo ditë, çdo hap, çdo moment është shumë i vonë. Kisha kërkuar nga kolegji i shkallës së dytë të Komerciales, sepse i ka mundësitë ligjore që sot, nesër, sa më shpejt të marrë një vendim”, ka thënë ai.

Balaj ka paralajmëruar për hapa të tjerë nëse nuk zhbllokohen llogaritë dhe punëtorët mbesin pa paga.

“Nuk përjashtohen protestat para Qeverisë, para Prokurorisë së Shtetit, para gjykatave por absolutisht edhe grevat e përgjithshme të punëtorëve të Telekomit”, ka shtuar Balaj.

Vendimi i Komerciales e ka lënë në fuqi urdhrin përmbarimor të lëshuar më 2019, i cili i hapi rrugë bllokimit të llogarive bankare dhe gjithashtu e detyron Telekomin që t’ia paguajë mbi 5.7 milionë euro dëmshpërblim kompanisë Z-Mobile.

Vendimi është apeluar nga drejtuesit e Telekomit, të cilët aktvendimin e shkallës së parë e kanë quajtur të jashtëligjshëm e kriminal. 

Po cila është historia mes Telekomit dhe Dardafonit?

Më 2007, Telekomi pati hapur thirrje për atë që quhej “mundësi atraktive për operatorët mobilë virtualë”. Në janar të 2009-s, Telekomi lidhi marrëveshje me “Dardafonin”.

“Dardafonit”, që ishte aktiv që nga janari i 2010-s, iu ofruan 200 mijë numra telefoni, për të cilët fitimi iu la atij, fillimisht në shkallë 78 për qind e më pas 73 për qind. 

Gjatë 10 vjetëve të kontratës, sipas një studimi të Telekomit, Dardafoni i fitoi 102 milionë euro, e nga dy procese të arbitrazhit edhe 45.7 milionë të tjerë. 

Megjithatë, “Dardafoni”, i njohur si “Z-Mobile”, nuk ishte i kënaqur me zbatimin e kontratës. Më 2015-n e nxori Telekomin në Arbitrazh me arsyetimin se nuk e furnizoi me SIM kartela e me numra, se nuk ia ofroi shërbimet 3G e 4G, si dhe për ulje të cilësisë së shërbimeve. Më 9 dhjetor të 2016-s, Tribunali i Arbitrazhit vendosi në favor të “Z-Mobile”, duke e obliguar Telekomin që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobilies”, si dhe t’ia ofronte shërbimet 3G e 4G.

“Z-Mobile” e pati fituar edhe betejën e dytë në Arbitrazh ndaj Telekomit. Më 30 korrik 2019, ish-kryetarja e Bordit të Telekomit, Besa Shatri-Berisha, njoftoi se kontrata me “Z-Mobile” nuk do të vazhdohet.

Por, pas kësaj, kjo kompani ushtroi padi në Arbitrazh, duke i fituar edhe mbi 11 milionë euro të tjerë, me pretendimin për shkelje gjatë fazës së negocimit të marrëveshjes. Për një dekadë, llogaritë e Telekomit u bllokuan për disa herë në emër të borxhit nga këto dy procese gjyqësore, duke rrezikuar ofrimin e shërbimeve dhe të pagave për punëtorët.
 


Punëtorë të Telekomit të Kosovës kanë protestuar të martën para zyrave të kësaj ndërmarrjeje për shkak se nuk i kanë marrë pagat e muajit mars.

Pagat nuk janë ekzekutuar pasi që Telekomit i janë bllokuar llogaritë në fund të shkurtit pas vendimit të Gjykatës Komerciale që detyron ndërmarrjen t’i paguajë 5.7 milionë euro dëmshpërblim ndaj kompanisë “Dardafon” apo siç njihej në treg “Z-Mobile”.

Në protestën që ka zgjatur gjysmë ore, është kritikuar vendimi i Komerciales.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj, ka thënë se nuk i përjashtojnë as grevat nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre.

“Këta janë vetëm një pjesë e atyre punëtorëve dhe është hera e parë po bëjmë një protestë brenda pauzës së punës. Po e them shkalla e dytë e ka marrë një vendim në favor të Telekomit dhe për çka se prapë është shkarkuar gjyqtarja. Kisha kërkuar nga kolegji i shkallës së dytë të Komerciales që të marrë një vendim, besoj që prapë ka me pru vendimin pozitiv, të mos na lajnë të mbesim pa paga, të gjithë ne kemi familje, 90 për qind e punëtorëve jemi në kredia”, ka theksuar Balaj, teksa ka kërkuar hetim nga ana e Prokurorisë së Shtetit.

“Kërkesa jonë tjetër është që sa më parë duhet Prokuroria e Shtetit të mos rrijë në gjumë, sepse nuk i kemi bërë thirrje sa për sy e faqe, sepse Telekomi është shkatërruar nga kontrata, qeveritë janë ata që  e kanë menaxhuar Telekomin e Kosovës”, është shprehur Balaj, raporton EO.

Telekomi është ankuar gjatë muajit shkurt për vendimin e Komerciales duke e cilësuar atë “të jashtëligjshëm e kriminal”.