Ekonomi

Projekti 208 milionësh për linjën hekurudhore Hani i Elezit – Leshak në llupën e ZKA-së

treni

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka njoftuar se në kuadër të sezonit auditues 2023/2024 është duke realizuar auditimin e performancës për projektin “Rehabilitimi i Linjës 10 Hekurudhore Hani i Elezit –
Leshak”. 

Me këtë auditim thuhet se do të vlerësohet nëse ndërmarrja publike “Infrakos”, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si dhe Ministria e Ekonomisë kanë qenë efikase në menaxhimin e këtij projekti. 

“Për shkak të rëndësisë së këtij projekti, implikimeve të larta buxhetore si dhe vonesave në funksionalizimin e kësaj linje hekurudhore, procesi i auditimit po ashtu do të vlerësojë procedurat e kontraktimit si dhe kostot tjera”, thuhet në njoftimin e ZKA-së.

Për realizimin e këtij projekti buxheti i planifikuar thuhet se është në vlerë mbi 208 milionë euro nga huamarrja dhe grantet ndërkombëtare. 

“’Infrakos’ është ngarkuar për kthimin e mjeteve dhe interesit kreditor në vlerën mbi 7 milionë euro. Shpenzimet e faturave të paguara deri në fund të vitit 2023 arrijnë vlerën mbi 83 milionë euro. ZKA-ja vlerëson se është me interes ekonomik e social për vendin dhe shoqërinë auditimi i procesit për realizimin e Projektit ‘Rehabilitimi i Linjës 10 Hekurudhore Hani i Elezit – Leshak’”, thuhet në njoftim.