Ekonomi

Projektbuxheti tregon për projekte të papërfunduara që nga 2008-a

Shumica e buxhetit 2025 për investime kapitale pritet të shkojë për projekte të bartura nga viti në vit, e ka të tilla edhe të 2008-ës. Sipas njohësve të çështjeve ekonomike, bartja e projekteve kapitale nga vitet e kaluara paraqet problem në zbatimin e tyre dhe ndikon në zhvillimin ekonomik

Shpronësimet e planifikuara për vitin 2008 Qeveria synon t’i bëjë në vitin 2025.

Këto dhe projekte të tjera nga vitet 2009, 2010 e 2011 janë pjesë e investimeve kapitale të bartura në projektbuxhetin për vitin e ardhshëm.

Zgjerimi dhe rehabilitimi i rrugës magjistrale Prishtinë-Mitrovicë është projekt i bartur nga viti 2010 e që në projektbuxhetin për vitin 2025 Qeveria ka paraparë 2 milionë euro.

Drejtori i Institutit GAP, Blendi Hasaj, tha se bartja e projekteve kapitale nga vitet e kaluara, paraqet problem në zbatimin e tyre.

“Një problematikë te buxheti është kjo që ka të bëjë me projektet kapitale, një shumicë e tyre janë të bartura nga viti në vit dhe në vitin 2025 janë rreth 90 për qind e buxhetit për investime kapitale është vlerë e cila bartet nga viti 2024. Pra e kemi një qasje që qeveritë po fusin në buxhet shumë projekte të cilat janë shumëvjeçare edhe të cilat shkojnë përtej mandatit të tyre që e kanë dhe pastaj kur po vijnë qeveritë e tjera në pushtet, po i trashëgojnë këto projekte dhe po i lënë anash dhe po vazhdojnë që të trashëgohen problemet që ndërlidhen me zbatimin e tyre”, ka thënë Hasaj.

Sipas tij, pjesa më e madhe e projekteve të bartura në projektbuxhetin e vitit 2025 nuk janë të specifikuara, gjë që është në kundërshtim me bazën ligjore.

“Normalisht, te projektet kapitale të bartura kemi disa probleme të tjera të cilat lidhen me keq klasifikim, pasi nuk janë të kategorizuara si shpenzime kapitale. Kemi edhe probleme të tjera ku kemi linja shumë të përgjithësuara që japin diskrecion të madh ministrisë së linjës, e që sipas rregullativës ligjore aktualisht, projektet kapitale duhet të jenë tejet specifike”, ka thënë Hasaj.

E profesori i ekonomisë, Sejdi Rexhepi, vlerëson se bartja e projekteve kapitale nga viti në vit ndikon në zhvillimin ekonomik.

“Ato para mendoj që janë shfrytëzuar për kërkesa të tjera buxhetore dhe nëse të njëjtat janë bartë dhe nuk janë shfrytëzuar sigurisht që dëmi ekonomik është i madh. Këto probleme që lidhen me infrastrukturë janë si shkak i mosplanifikimit të mirë, kur është fjala për realizueshmërinë e një projekti të caktuar, nuk janë bërë matje si duhet dhe nuk janë realizuar afatet kohore si duhet”, ka thënë Rexhepi.

Laboratori për Universitetin e Prishtinës dhe zgjerimi e rehabilitimi i rrugës magjistrale Prishtinë-Pejë janë dy projekte të tjera kapitale të bartura nga vitet e shkuara.

Projektbuxheti për vitin 2025 është paraparë të jetë 3.6 miliardë euro, e për investime kapitale janë ndarë 930 milionë euro apo 71 milionë euro më shumë sesa këtë vit.

Projektbuxheti është votuar në lexim të parë në Kuvend.