Përfaqësues të bizneseve u ankuan pas nismës për t’i bojkotuar dyqanet e mëdha që kanë abuzuar me çmimet. Sipas kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Skender Krasniqi, çmimet aktuale në treg nuk varen vetëm nga bizneset, por edhe nga importi i produkteve
Nisma qytetare për bojkot të dyqaneve të mëdha edhe në Kosovë do të dëmtojë ekonomitë biznesore dhe atë shtetërore, ka thënë të martën kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Skender Krasniqi.
Iniciativa për bojkot është ndërmarrë në rrjete sociale prej një grupi qytetarësh dhe përmes saj bëhet thirrje që më 10 shkurt të bojkotohen blerjet në dyqane, me synimet për ulje të çmimeve.
“Do t’i dëmtojë edhe bizneset, por do ta dëmtojë edhe shtetin, sepse do të ketë të hyra buxhetore më të vogla gjatë kësaj kohe të bojkotit. Megjithatë, e dimë se ky bojkot nuk mund të zgjasë shumë për shkak se është e pamundur nga të dyja anët të përmbahet – nga qytetarët që iu nevojitet furnizim, por edhe nga bizneset që do të dëmtohen”, ka thënë Skender Krasniqi, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.
Fushata e bojkotit ka nisur fillimisht në Kroaci rreth dy javë më parë dhe ajo është përhapur thuajse në të gjitha shtetet e rajonit.
Përfaqësues të bizneseve kanë arsyetuar çmimet me inflacionin e lartë, e që kryesisht është i importuar.
Sipas të dhënave të Doganës, gjatë vitit 2024 shteti ka importuar mbi 6 miliardë euro mallra e në krye të listës prijnë nafta dhe veturat e mjetet motorike.
Sipas këtyre statistikave, produktet ushqimore që janë importuar nga vendet e tjera për vitin që lamë pas janë: domate, speca, molla, pije të gazuara, produkte të bukës e mallra të tjera.
E Krasniqi tha se çmimet varen nga importi.
“Shumica e produkteve tona që i kemi në treg janë prodhime të huaja, nuk janë prodhime vendore dhe ulja e çmimeve në vendet e tyre është shumë e vështirë, për shkak se ai është çmim importi, nuk është çmim nga prodhimi. Sikur të kishim më shumë prodhime vendore dhe sikur vendi ynë do t’i kishte subvencionuar prodhimet vendore më shumë, ne do të kishim çmime më të favorshme në treg për qytetarët tanë”, ka thënë Krasniqi.
Për çmimet aktuale në treg Krasniqi fajësoi edhe Qeverinë.
“Shumica e produkteve tona që i kemi në treg janë prodhime të huaja, nuk janë prodhime vendore dhe ulja e çmimeve në vendet e tyre është shumë e vështirë, për shkak se ai është çmim importi, nuk është çmim nga prodhimi. Sikur të kishim më shumë prodhime vendore dhe sikur vendi ynë do t’i kishte subvencionuar prodhimet vendore më shumë, ne do të kishim çmime më të favorshme në treg për qytetarët tanë”, ka thënë ai.
Qeveria ka hartuar ligjin për çmimet tavan për produktet bazë, por pasi u kontestua nga një pjesë e opozitës, Gjykata Kushtetuese e ka shpallur jokushtetues.