Vlera e mallrave të eksportuara ka shënuar rritje brenda shtatë muajsh për diku 34 milionë euro, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të shkuar, por ajo e importeve është rritur shumë më shumë. Për pasojë, është thelluar sivjet edhe deficiti tregtar. Përfaqësues të bizneseve dhe njohës të ekonomisë thonë se statistikat duhet t’i shërbejnë Qeverisë si alarm, në mënyrë që të marrë masa për ta përmirësuar bilancin tregtar
Për 233 milionë euro është thelluar deficiti tregtar në Kosovë gjatë periudhës janar-korrik, krahasuar me muajt e njëjtë të vitit të shkuar.
Bazuar në raportin e fundit të Agjencisë së Statistikave, vlera e mallrave të eksportuara ka shënuar rritje brenda shtatë muajsh për diku 34 milionë euro, por ajo e importeve për 267 milionë euro.
Të dhënat për muajin korrik tregojnë se në Kosovë hyjnë mallra në vlerë gjashtë herë më të madhe sesa ato që dërgohen jashtë.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, thotë se këto të dhëna duhet të shërbejnë si alarm për Qeverinë.
“Duhet të ndërmerren veprime emergjente. Së pari, duhet ta identifikojnë se në cilin sektor Kosova është konkurrente dhe në ata sektorë të investojë në kuptimin e politikave fiskale, politikave administrative, të eliminojë barrierat administrative, të jetë më agresive në kuptimin pozitiv me vendet e rajonit, të luftojë që të mos ketë që mallrat e Kosovës të mos ketë pengesë me u eksportu në tregun e atij vendi”, ka thënë Rafuna.
E, ekonomistët kritikuan Qeverinë për mungesë veprimesh për ta ulur deficitin tregtar.
Sejdi Rexhepi, profesor universitar i ekonomisë, ankohet për mungesë politikash qeveritare.
“Nuk kemi një përkrahje që e bën qeveria për vite me radhë, edhe qeveritë e kaluara, edhe kjo qeveri, sepse nuk ka një program të strategjisë se cilët sektorë duhet të përkrahen për eksport dhe cilët sektorë duhet të përkrahen për prodhim vendor për zëvendësim të importit sepse unë mendoj që zëvendësimi i importit me prodhim vendor është krucial në zvogëlimin e deficitit”, ka thënë Rexhepi.
Ndërkaq, Safet Gërxhaliu, ekspert i ekonomisë, sugjeron disa veprime.
“Është koha kur definitivisht ekonomia të jetë prioritet i institucioneve, të kemi politika të favorshme në rend të parë për të prekur investime të huaja. Në rend të dytë, për të mbështetur sektorin privat dhe duke avancuar dialogun dhe partneritetin publiko-privat”, ka thënë ai.
Ndërkaq Arian Zeka, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane, theksoi se Qeveria ka stagnuar në hartimin e politikave të reja fiskale, për të cilat theksoi se do të duhej të ishin mbështetëse dhe inkurajuese për fuqizimin e sektorit privat.
“Gjatë këtij mandati të qeverisë ka pasur shumë pak masa lehtësues që janë vënë në funksion ose në shërbim të kësaj ideje, pra të fuqizimit të prodhuesve. Ka pasur disa masa që kanë lehtësuar qasjen në financa për kompanitë prodhuese për blerjen e makinerive të reja dhe për trajnim të fuqisë punëtore, por megjithatë këto nuk mjaftojnë. Masat duhet të jenë të vazhdueshme”, ka thënë Zeka.
Në Kosovë funksionojnë rreth 2 mijë e 400 kompani prodhuese, por shteti vazhdon të importojë shumë më shumë sesa që eksporton.