Vendimi i administratës amerikane për të vendosur tarifa importi për të gjitha shtetet, por për Kosovën vetëm atë bazë 10 për qind, mund të ketë ndikim edhe pozitiv për shtetin, ka thënë kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka. Sipas tij, Kosova mund ta shfrytëzojë këtë situatë për të tërhequr investime nga kompanitë evropiane, ku tarifa është 20 për qind. Pas vendimit që ka alarmuar ekonomitë më të fuqishme globale, presidentja Vjosa Osmani i kërkoi Qeverisë ta pezullojë tarifën prej 10 për qind që aplikohet ndaj produkteve të SHBA-së
Në Kosovë janë parë me sy ndryshe tarifat e vendosura një ditë më parë nga presidenti amerikan, Donald Trump, të cilat kanë alarmuar ekonomitë më të fuqishme globale.
Bashkimit Evropian presidenti Trump i ka vënë tarifë 20 për qind. Kosova, Shqipëria e Mali i Zi janë ngarkuar me tarifa prej 10 për qind, ndërkaq shumë më të larta janë vendosur për vende të tjera të rajonit. Për Serbinë është vendosur tarifë 37 për qind, për Maqedoninë e Veriut 33 për qind e për Bosnjë-Hercegovinën 35 për qind.
Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka thënë se Kosova mund ta shfrytëzojë këtë situatë për të tërhequr investime nga kompanitë evropiane dhe ato prej vendeve të prekura nga tarifat e larta, duke u ofruar qasje më të lehtë në tregun amerikan.
“Mund të jetë një mundësi e Kosovës që ne të tërheqim kompani evropiane ose kompani nga shtetet e tjera të cilat ndoshta afektohen me tarifa shumë më të larta sesa Kosova. Për aq kohë sa ka qenë në fuqi sistemi i përgjithësuar i preferencave, i njohur si GSP, që ia mundësonte Kosovës t’i eksportonte mbi 3.500 produkte pa iu nënshtruar detyrimeve doganore, rregullat e origjinës kanë qenë shumë të lehta”, ka thënë Zeka.
Pas tre vjetësh suficiti në raportin tregtar me SHBA-në, Kosova ka përjetuar deficit në 2024-n. Kjo për shkak të ndalimit që u është bërë dyshekëve të importuar nga Kosova. E, në vitin e shkuar nga eksportet e Kosovës në Shtetet e Bashkuara vendin e parë e zënë fustanet dhe kapin vlerën e 11.4 milionë eurove.
Ky prodhim por edhe të tjerë me origjinë nga Kosova do të tarifohen me 10 për qind, pas vendimit që mori të mërkurën presidenti Trump.
Paketa e masave tregtare që vendosi Trumpi përfshin të gjitha shtetet dhe administrata amerikane e ka quajtur këtë masë reciprociteti.
Kosova aplikon taksë doganore 10 për qind ndaj produkteve të SHBA-së, e cila është e ngjashme për të gjitha vendet me të cilat nuk ka marrëveshje të tregtisë së lirë.
Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar të enjten nga Qeveria që të pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet nga SHBA-ja.
Kjo kërkesë, sipas Osmanit, u bë për të dërguar mesazhin se Kosova është e gatshme për marrëdhënie më të fortë me SHBA-në.
“Jam e bindur se ky veprim do të hapë mundësi të reja për krijimin e vendeve të punës, shkëmbimin e teknologjisë dhe rritjen afatgjatë ekonomike”, ka shkruar Osmani në platformën X.
Sipas saj, më shumë se veprim ekonomik, ky është një objektiv i politikës së jashtme, duke riafirmuar angazhimin e qëndrueshëm për aleancën Kosovë-SHBA, të ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta të lirisë dhe mbështetjes që vazhdon prej dekadash.
Edhe Oda Ekonomike Amerikane ka kërkuar paraprakisht nga Qeveria që të tërheqë tarifën doganore prej 10 për qind për mallrat nga SHBA-ja.
Drejtori Arian Zeka ka thënë se masa e vendosur nga SHBA-ja mund të ndikojë në dekurajimin e prodhuesve kosovarë për të arritur tregun amerikan, prandaj ka dhënë propozimin për ta larguar tarifën.
“Masa si e tillë është masë reciprociteti, që do të thotë është kundërpërgjigje e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj shteteve që mbajnë tarifa doganore ndaj produkteve amerikane dhe rrjedhimisht edhe lartësi e kësaj tarife doganore në rastin e Kosovës është ekuivalente me lartësinë që Kosova ka për produktet amerikane e që është 10 për qind”, ka thënë ai. “(Kosova v.j.) të aplikojë atë që njihet si aranzhim i njëanshëm preferencial tregtar, do të thotë që Kosova në mënyrë të njëanshme të vendosë t’i sjellë tarifat për produktet amerikanë në normë zero, që rrjedhimisht mund të çojë pastaj në rishikimin e vendimit të djeshëm, sidomos në rastin e Kosovës”.
E profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Nagip Skënderi, u shpreh se këto masat e vendosura nga SHBA-ja mund të ndikojnë në rritje inflacioni. Prandaj, edhe ai ka propozuar pezullimin e tarifave.
“Këto pashmangshëm do të ndikojnë edhe në rritjen e të gjitha produkteve esenciale edhe për konsumatorin e kjo pashmangshëm do ta ngrejë edhe inflacionin tek ne, do të ndikojë natyrshëm tek ne, prandaj apeloj tek institucionet që në raport me SHBA-në ta ruajnë atë preferencën e vet të produkteve që deri tani i kemi pasur dhe këto tarifa që Kosova i ka vendosur ndaj SHBA-së, së paku, nëse jo përgjithmonë, të hiqen për një periudhë të caktuar kohore”, ka thënë ai.
Tarifa prej 10 për qind do t’i shtrenjtojë produktet kosovare që eksportohen në SHBA dhe, si pasojë, mund të bjerë kërkesa për to, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.
Edhe ai u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë për të kërkuar pezullimin – qoftë edhe të përkohshëm – të kësaj tarife, por gjithashtu të eliminojnë tarifën ekzistuese ndaj produkteve të SHBA-së.
“Ajo që duhet të bëjnë institucionet tona është të shfrytëzojnë të gjitha kanalet e mundshme për të kërkuar pezullimin, qoftë edhe të përkohshëm, të kësaj tarife. Ne kemi pasur raste të ngjashme më parë, për shembull, gjatë administratës së presidentit Trump, një tarifë doganore ndaj Kanadasë u pezullua për një periudhë prej dy muajsh. Pra, kjo është e mundur”, ka thënë Rafuna. “Edhe një herë them që institucionet tona duhet të punojnë për të gjetur një mundësi ose për ta pezulluar këtë tarifë, ose – më së miri – për ta larguar plotësisht”.
Rafuna tha gjithashtu se edhe tarifa prej 20 për qind e vendosur nga SHBA ndaj Bashkimit Evropian mund të ketë ndikime indirekte në Kosovë, veçanërisht te prodhuesit vendorë që furnizohen me mallra nga BE-ja, të cilat në fakt importohen nga SHBA-ja.
Vitin e shkuar Kosova eksportoi mallra në vlerë 39 milionë euro drejt Shteteve të Bashkuara. E importet nga SHBA-ja arritën pikën më të lartë deri tash, 106.5 milionë euro.
Marrë në total, rreth 3.97 për qind e eksporteve të Kosovës gjatë 2024 kanë shkuar në SHBA. Ato përfshijnë dyshekë në vlerë 11 milionë e 200 mijë euro, fustane për gra në vlerë 11 milionë e 400 mijë euro, njësi ndërtimi modulare prej çeliku në vlerë 4.6 milionë euro e të tjera. Ndërkaq në tre muajt e parë të 2025-s janë eksportuar fustane në vlerë 3 milionë euro.