Buxheti i komunave

Miratohet bartja e të hyrave vetjake në vlerë prej 60 milionë eurosh

Qeveria e Kosovës

Ministri i Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftuar se në pajtim me pikën 6 të nenin 9 të Ligjit të buxhetit, të enjten ka miratuar bartjen e të hyrave vetjake të komunave në vlerë prej 60 milionë eurove.

“Bartja në këtë formë bëhet për të hyrat vetjake që kanë qenë të alokuara, kurse për pjesën e paalokuar, bartja bëhet me vendime të kuvendeve komunale përkatëse”, ka shkruar Murati në Facebook.

Sipas nenit 6 të Ligjit për Buxhetin “bilancet e pashpenzuara të të hyrave vetjake të komunave nga viti fiskal 2023 dhe vitet paraprake, të depozituara në Fondin e Kosovës dhe të regjistruara në Sistemin Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës si ndarje buxhetore për një komunë, ndahen për vitin fiskal 2024 sipas autorizimeve të Ligjit për menaxhimin e financave publike, duke ruajtur strukturën e shpenzimeve”.