Në ceremoninë e hapjes së edicionit të 23-të të Panairit Ndërkombëtarë EXPOKOS, është theksuar se bizneset vendase po rriten dhe prodhimi po shtohet. Sipas të dhënëve këtë vit në këtë panair ka rritje të kompanive prodhuese, ndërsa rënie të kompanive tregtare.
Në ceremoninë hapëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se panairet e tilla janë të rëndësishme për zhvillimin dhe promovimin e vendit.
Kurti derisa ka falënderuar mërgatën për kontributin e dhënë për Kosovën, ka thënë se diaspora është urë lidhëse për investime direkte dhe për turizëm në Kosovë.
"Kur e pash këtë emërtim, EXPOKOS, më shkoj mendja tek eksploro Kosovën, që paraqet një thirrje për të hulumtuar vendin tonë të bukur e të pasur që të zbulohen edhe trevat dhe bizneset. Ato ofrojnë një mundësi të çmuar për bizneset, pra që ndihmon bizneset të ecin përpara në treg. Vendi ynë ofron qasje të përshtatshme në tregjet evropiane. Po dëshmojmë se demokracia e mirëfilltë e mundëson dhe mbështet zhvillimin ekonomik. Rritja e ekonomisë sonë në tre vitet e fundit është mbështetur nga rritja e dyfishtë e investimeve të huaja", ka deklaruar Kurti.
Panairi do jetë i hapur edhe nesër nga ora 10:00 deri në orën 18:00. Ky edicion do të vazhdojë të mbulojë sektorët e energjisë, ndërtimit, minierave, makinerisë dhe mbrojtjes dhe sigurisë. / KP