Kosova është bërë donatore në Agjencinë Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA-21), një fond që ndihmon vendet më të varfra në botë.
Zëvendëspresidenti i Bankës Botërore për Financimin e Zhvillimit, Akihiko Nishio, e vlerësoi lart këtë vendim të Kosovës duke e cilësuar këtë hap si një moment historik për Kosovën dhe një dëshmi të qëndrueshmërisë së saj në skenën ndërkombëtare.
Në një konferencë për media bashkë më ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, ai po ashtu theksoi se Kosova zë vendin e saj si donatore në IDA-21 (Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim) duke përmbyllur kështu një cikël të plotë në rrugëtimin e saj të zhvillimit, raporton KosovaPress.
"Një moment me rëndësi të thellë, jo vetëm për Kosovën dhe Bankën Botërore, por edhe për komunitetin global. Sot, Kosova zë vendin e saj si donatore në IDA-21 ... vendimi i Kosovës për të kontribuar në IDA-21 mishëron një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme. Ky hap shkon përtej thjesht simbolikës. Kjo është një deklaratë e guximshme se edhe kombet që kanë kapërcyer vështirësi të thella mund të jenë kampionë të solidaritetit global”, tha ai.
Ministri Murati ka vlerësuar lartë bashkëpunimin që ka vendi me Bankën Botërore. Ai ka theksuar se deri më tani sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare është mbështetësi me vëllimin më të madh.
Sipas Muratit kontratat me të deri më tani të nënshkruara dhe të ratifikuara kapin vlerën e 376 milionë eurove.
"Sa i përket financimit dhe bashkëpunimit që kemi me Bankën Botërore mund të them se është një partner krucial në zhvillimin gjithëpërfshirës të shtetit tonë. Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim ka qenë mbështetëse dhe Kosova tash e 15 vjet është anëtare e Bankës Botërore dhe tash e 15 vjet ka përfituar nga mbështetja e vazhdueshme nga Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim. Deri më tani sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare është mbështetësi me vëllimin më të madh që kemi aktualisht. Kontratat deri më tani të nënshkruara dhe të ratifikuara janë 376 milionë euro, ndërkaq mbështetja që është disbursuar është 289 milionë euro deri më tani. Përveç kësaj kemi edhe marrëveshje tjera që janë në vijim, që janë të nënshkruara apo priten të nënshkruhen siç janë, marrëveshja për mbështetjen e tregtisë dhe transportit që do të mbështesë korridoret e gjelbra, lehtësimin e transportit e kësisoj shpresoj edhe lehtësimin e eksportit dhe rritjen e vazhdueshme të eksportit. Përveç kësaj kemi edhe projektin për sistemin informativ shëndetësor, apo mbështetjen e sektorit të shëndetësisë që tashmë është nënshkruar vitin e kaluar dhe pret për ratifikim në Kuvend. Uroj që në legjislaturën që po vije këto marrëveshje të kenë mbështetjen e nevojshme", tha Murati.