Ekonomi

I bien të hyrat minierës së Trepçës që menaxhohet nga serbët

Njësia e Trepçës, Kopaonik-Leposaviq, ka eksportuar 3.882 tonë koncentrat zinku dhe 3.549 tonë koncentrat plumbi gjatë vitit 2024. Bazuar në të dhënat që Ministria e Ekonomisë ia ka prezantuar KOHËS, kësaj njësie i kanë rënë të hyrat në tre vjetët e fundit. Në vitin 2022, ajo ka siguruar 12.7 milionë euro të hyra nga shitja e koncentratit, në vitin 2023, 9.1 milionë euro, kurse në vitin 2024 ka rënë në 8.7 milionë euro

Rreth 6.4 milionë euro janë shpenzimet që, bazuar në të dhënat e ndërmarrjes “Trepça”, i kanë pasur gjatë 2024-tës njësitë biznesore në Stantërg, Kishnicë e Artanë dhe në flotacionin në Leposaviq.

Sipas kësaj ndërmarrjeje, më së shumti shpenzime vitin e shkuar pati miniera me flotacion “Trepça” në Stantërg.

“Shpenzimet për vitin 2024 janë: Njësia biznesore Miniera me Flotacion Stantërg - 3,375,843.00 €. Njësia biznesore Minierat me Flotacion Kishnicë dhe Artanë - 786,550.00 €. Njësia biznesore Minierat e Kopaunikut me Flotacion në Leposaviq -2,251,322.00 €”, kanë bërë të ditur në këtë ndërmarrje.

Numrin më të vogël të punëtorëve, sipas ndërmarrjes, e ka miniera në Stantërg e atë më të lartin, rreth 900, ajo e Cërnacit e Bellobërdos, që menaxhohet nga serbët në veri.

“Në njësinë biznesore miniera me flotacion ‘Trepça’ në Stantërg aktualisht janë të angazhuar 666 punëtorë. Në minierë janë të angazhuar 534 punëtorë, ndërsa në flotacionin Tuneli i Parë 132 punëtorë. Në njësinë biznesore minierat me flotacion Kishnicë dhe Artanë aktualisht janë të angazhuar 203 punëtorë. Ndërsa vetëm në minierën e Artanës janë të angazhuar 98 punëtorë e pjesa tjetër janë të angazhuar në flotacionin në Kishnicë dhe në administratë. Për numrin e punëtorëve në këtë njësi biznesore nuk kemi informata të sakta, por duhet të jetë rreth 900 punëtorë”, thuhet në përgjigjen e kësaj ndërmarrjeje.

E njohësi i çështjeve ekonomike, Fidan Qerimi, thotë se pjesa më e madhe e të angazhuarve në minierën e menaxhuar nga serbët nuk është e angazhuar në prodhim.

“Duhet të ketë një ristrukturim të fuqisë punëtore fillimisht, riorganizim të pagave, duke u bazuar në produktivitetin dhe duke u bazuar në meritokraci... Ka një mbipunësim në pjesën e administratës dhe të cilët nuk janë të involvuar direkt në prodhim dhe kjo ndikon në numrin e rritjes së të punësuarve, që në fakt rrit edhe koston e pagave”, ka thënë Qerimi.

Aktualisht ndërmarrja “Trepça” ka kontrata për shitjen e koncentratit me kompanitë “MINECO” dhe “Trafigura” me seli në Londër.

Javë më parë KOHA raportoi se ndërmarrja nuk posedon statistika për vitin 2024, të prodhimit të koncentratit dhe të eksploatimit të xeheve për minierën dhe flotacionin e menaxhuar nga serbët në veri.

E këto të dhëna gjatë javës ia ofroi KOHËS Ministria e Ekonomisë. Ato tregojnë se në tre vjetët e fundit, kësaj njësie i kanë rënë të hyrat.

“Njësia Kopaonik-Leposaviq ka eksportuar 5.237.19 tonë të koncentratit të zinkut dhe 3.621.73 tonë të koncentratit të plumbit gjatë vitit 2023, ndërsa 3.882 tonë koncentrat zinku dhe 3.549 tonë koncentrat plumbi gjatë vitit 2024. Njësia biznesore Kopaonik-Leposaviq ka siguruar të hyra nga shitja e koncentratit prej 12.690.861,52 euro në vitin 2022, 9.085.132,90 euro në vitin 2023 dhe 8.714.885,59 euro në vitin 2024”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Shitja e koncentratit, sipas ndërmarrjes, bëhet me anë të tenderave ndërkombëtarë,  ndërsa shitja nëpërmjet sistemit Franco.